E vodha ne nje blog qe kam gjithe javen qe e lexoj! Ky shkrimtar me ka bere te lexoj edhe mbi temat qe as nuk me kane interesuar ndonjehere! Ka perkthyer dhe shkruajtur mbi cdo gje qe mua me duket interesante! Per me shume eshte shqiptar, nuk ka vdekur (nuk mendoja kurre qe nje shkrimtar shqiptar i gjall do me interesante kaq shume) dhe e kemi ditelindjen ne te njejten date (shoqja ime Sevi do thoshte - oh, po eshte peshqit prandaj eshte kaq i mire )! Per shkak se nga faqja e tij nuk dija si ta ndaja me ju(ishte ne nje gjuhe qe une nuk ja thek fare) i bera nje ripostim tek blogu im pa ndryshuar asgje, edhe per mos e humbur si interviste per me shume! Mos e lini pa lexuar intervisten e George Seiner perkthyer nga ai.
Europa po jeton një krizë të thellë. Sipas mendimit tuaj, a është i mundur shkatërrimi i saj?
Në gjendjen e saj akutale, është i
mundur. Por, në një mënyrë apo një tjetër, do t’ia dalim mbanë. Ironia,
është që Gjermania do të dominojë përsëri. Le të prapsemi pak. Mes
muajit gusht 1914 dhe muajit maj 1945, Europa, nga Madridi në Moskë, nga
Kopenhaga në Palermë, ka humbur 80 million qënien njerzore në luftrat,
internimet, kampet e vdekjes, zitë e bukës, bombardimet. Mrekullia, ajo
ka mbijetuar. Por ringjallja e saj nuk ka qenë veçse e pjesshëme. Europa
kalon sot një krizë dramatike ; ajo është duke sakrifikuar një brez,
brezin e ri, i cili nuk beson në të ardhmen. Kur isha i ri kishte
lloj-lloj shpresash : komunizmi, e çfarë shprese ! Fashizmi, që është
gjithashtu një shpresë, por që nuk duhet të gabohesh. Egzistonte, po
ashtu, për çifutët, sionozmi. E plot, e plot… Të gjitha këto nuk i kemi
më. Gjatë rinisë, po nuk u mbajte nga një shpresë, qoftë dhe e rremë,
çfarë mbetet ? Asgjë. Ëndrra e madhe mesianike socialiste përfundojë ke
gulagu dhe François Hollande – e marr emrin e tij si simbol, nuk
kritikoj personin e tij. Fashizmi u zhyt në tmerr. Shteti izraelit,
domosdoshmërisht që duhet të mbijetojë, por nacionalizmi i tij është një
tragjedi, thellësisht e kundërt me mençurinë çifute, që është
kosmopolite. Unë vetë dua që të jem një endacak. Jetoj sipas devizës të
Baal Shem Tov, rabin i madh i shekullit të XVIII–të : « E vërteta është gjithmonë në ekzil. »
Po mondializimi a e favorizon këtë endje ?
Nuk ka patur asnjëherë një mbyllje
të tillë gjeografike. Kur linim Anglinë, mund të shkonim në Australi,
në Indi, në Kanada ; sot nuk ka më të drejtë pune. Planeti po mbyllet.
Çdo natë qindra vetë përpiqen që të kapin Europën që nga Magrebi.
Planeti është në lëvizje, po drejt çfarë gjëje ? I tmerrshëm është sot
fati i emigrantëve. Më nderuan në Gjermani me një fjalim që mbajta
përpara qeverisë. E mbylla me këto fjalë : « Zonja e Zotërinj, tani
të gjitha yjet po bëhen të verdhë. »
Me gjithë këto, a ndjeheni ju europian ?
Europa mbetet vendi i masakrës, i
pakuptushmërisë, po gjithashtu i kulturave që dua. I kam borxh gjithshka
dhe dua të jem aty ku janë të vdekurit e mi. Dua të qëndroj jo larg
Shoah-s, atje ku mund të flas katër gjuhët e mia. Kjo është qetësia ime
madhe, lumturia ime, kënaqësia ime. E kam mësuar italishten pas
anglishtes, frengjishtes e gjermanishtes, tri gjuhët e fëmijërisë. Nëna
ime fillonte një frazë në një gjuhë dhe e përfundonte në një tjetër, pa e
kuptuar. Nuk kam patur gjuhë amtare, por, ndryshe nga mendimet e
pranuara prej të gjithëve, kjo është mjaft e zakonshme. Në Suedi kemi
filandishten dhe suedishten ; në Malezi, fliten tri gjuhë. Ideja e
gjuhës amtare është një ide tepër nacionaliste e romantike. Njohja e
disa gjuhëve më ka lejuar që të jap mësim, të shkruaj Après Babel : une poétique du dire et de la traduction
dhe të ndjehem gjithkund si në shtëpinë time. Çdo gjuhë është një
dritare e hapur mbi botën. Pemët kanë rrënjë ; ndërsa unë, unë kam
këmbë, dhe ky është një progres i jashtzakonshëm, më besoni !
Në librin tuaj të fundit Poesia e mendimit, ju tregoni që Sartri donte që të ishte Stendal dhe Spinoza. A të çon stili tek mendimi ?
Po, e gjithë filozofia është një akt
i gjuhës. Ritmi, fjalori, sintaksa, gjithshka që na drejton drejt
poezisë, e që e gjejmë po ashtu në teksin filozofik, sado abstrakt qoftë
ai. « Çdo mendim fillon nga një poezi », shkruante Alain
në lidhje me Valerinë. Mendimtarët e mëdhenj janë shpesh herë
shkrimtarë supremë, ashtu si Niçe apo Kierkegard.
Bergsoni, një nga mjeshtrat e gjuhës
franceze, ka marrë çmimin Nobel në letërsi. Platoni meriton që të
krahasohet me Shekspirin përsa i përket krijimit të personazheve e
gjesteve dramatike. Por marrëdhënia mes mendimit dhe shkrimit mund të
shfaqet konfliktuale. Disa filozofë shkruajnë keq, mbysin shkrimtarin që
gjendet në vetën e tyre, si Hegel, mbreti i anti-stilit. Këtë traditë
dyfishe, të gjenisë lirike tek një Platon dhe të pedagogjisë së rreptë,
të sistemit, tek një Aristotel, e gjejmë që në fillim.
Letërsia dhe filozofia a janë akoma bashkëfajtore sot ?
Të dyja format më duken të
rrezikuara. Letërsia ka zgjedhur fushën e lidhjeve të vogla personale.
Ajo nuk di të trajtojë më temat e mëdha metafizike. S’ka më Balzak,
Zola. Asnjë fushë nuk i shpëtonte këtyre gjenive të komedisë njerzore.
Prusti gjithashtu ka krijuar një botë të pashterrshme, dhe Ulysse
i Xhoisit është akoma shumë pranë Homerit… Xhojsi, është pikëkalimi
mes dy botëve, i asaj klasike dhe i asaj të kaosit. Dikur, filozofia
gjithashtu mund të thuhej universale. E gjithë bota ishte e hapur
përpara mendimit të një Spinoze.
Sot, një pjesë e madhe e universit
na është mbyllur. Bota jonë tkurret. Shkencat na janë bëre të pakapshme.
Kush mund t’i kuptojë aventurat e fundit të gjenetikës, astrofizikës,
biologjisë ? Kush mund t’ia shpjegojë ato profanit ? Dijet nuk
komunikojnë më ; shkrimtarët dhe filozofët janë të pazotët për të na e
bërë të kuptushme shkencën. E megjithatë shkenca shkëlqen nga imagjinata
e saj. Si mund të pretendosh që të flasësh për koshiencë njerzore duke
lënë mënjanë atë ç’ka është më kurajozja, më përfytyruesja ? Shqetësohem
kur mundohem të kuptoj se çdo të thotë « të jesh i ditur » sot – « to
be literate », shprehja është më e fortë në anglisht. A mund të jemi të
ditur pa kuptuar një ekuacion jo linear ? Kultura po rrezikon të bëhet
provinciale. Ndoshta do të na duhet që ta rimendojmë të gjithë konceptin
që kemi për kulturën.
Dua që t’ju tregoj një rast që më ka
emocionuar pamasë : një mbrëmje, një nga kolegët e mi të Kembrixhit,
çmim Nobel, një burrë i këndshëm, me të cilin po haja darkë, më kërkojë
që ta ndihmoja mbi një tekst të Lakanit nga i cili nuk kuptonte asgjë.
Modestia e një shkencëtari të madh krahasuar me fodullikun, ku nuk ka ku
të shkoj, të mjeshtërve bizantinë të errësirës…
Ju mbroni kulturën klasike të njeriut të kulturuar, dhe në të njejtën kohë insistoni në brishtësinë e saj. Përse ?
Sepse kultura e lartë ka falimentuar
përballë barbarisë. Të mos harrojmë që të dy luftrat botërore ishin
luftra civile europiane. Gjermania, vendi i Hegelit, Fishtes dhe
Shelingut, matricë e mendimit filozofik, ka njohur më të keqen e
barbarisë. Humanizmat nuk na kanë mbrojtur ; përkundrazi, shpesh ato
kanë qene aleatë të antihumanizmit. Bukenvaldi nuk ndodhet veçse disa
kilometra larg nga Weimari. Si ka mundësi që disa njerëz të luajnë Bah e
Shubert në shtëpinë e tyre në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes të
torturojnë nëpër kampe ?
Për çfarë shërben kultura atëhere, nëqoftëse ajo nuk na bën më njerzorë ?
Ajo e bën të durueshme egzistencën.
Nuk është e lehtë që të jesh i vdekshëm, jo, nuk është aspak e lehtë. Të
gjithë jemi të përballur me kancerin, stresin, frikën ; çdo ditë mund
të mbajë një lamtumirë, dhe s’ka gjë më të ankthshme. Do t’ju tregoj
diçka me të vërtetë foshnjore : gruaja dhe unë humbëm qenin tonë Ben.
Ishte e tmerrshme për ne, aq shumë kjo kafshë ka qenë në qendër të jetës
sonë !
Nuk mund të kaloj një ditë pa
muzikë, pa bukuri, pa poezi. Kjo është siguria ime, mbijetesa ime.
Shoqëria e mjeshtërve të mëdhenj më jep një ndjenjë të pafund krenarie e
mirënjohje. Dua që t’i them faleminderit. Duke i mësuar përmendsh. Atë
që mësojmë përmendsh askush nuk mund të na e heqë. As çensura, as
policia politike, as kitsch-i që na rrethon. Të mësuarit përmendsh bën
që të futesh në vetë veprën : « Ti do të jetosh në veten time e unë do të jetoj me ty. »
Tekset ecin në krah me ne; të shëtisësh me një poezi të Bodlerit do të thotë që të jesh i mirëshoqëruar.
Sipas jush, teknologjitë e reja e rrezikojnë « qetësinë » dhe « intimitetin » që duhet për kontaktin me veprat e mëdha…
Po, cilësia e qetësisë
është organikisht e lidhur me atë të gjuhës. Ju dhe unë jemi të ulur
këtu, në këtë shtëpi të rrethuar nga një kopësht, ku nuk ka tjetër
zhurmë përveç bisedës sonë. Këtu, mund të punoj, të përpiqem që të
mendoj. Qetësia është bërë një lluks i madh. Njerzit jetojnë në një
zallamahi. Nuk ka më mbrëmje në qytete. Të rinjtë kanë frikë nga
qetësia. Çdo të bëhet me leximin serioz e të vështirë ? Të lexosh një
faqe nga Platoni me walkman në vesh ? Kjo më tremb shumë.
Teknologjitë e reja transformojnë
dialogun me librin. Ato shkurtojnë, thjeshtëzojnë, konektojnë. Shpirti
është i « kablluar ». Sot nuk lexohet si dikur. Fenomeni Harry Potter
shfaqet si një përjashtim. Të gjithë fëmijët e globit, fëmijë eskimezë,
fëmijë zulu, lexojnë e rilexojnë këtë sagë ultra angleze të pajisur me
një fjalor të pasur dhe me një sintaksë të sofistikuar. Kjo është e
hatashme ! Libri është një mbrojtës i madh i jetës private. Në
frengjisht nuk ka fjalë për të thënë fjalën « privacy ». « Intimitet » e
përkthen keq atë. Anglia është akoma një vend i « privacy ». Kjo mund
të ketë dhe anët e saj absurde : mund të jemi fqinjë për pesëdhjetë vjet
e të mos shkëmbejmë një fjalë. Ky kult i « private life » ka një vlerë
të madhe politike : është një aftësi e rezistencës.
Ju përmendët Harry Potter. Duke u kthyer tek Poesia dhe mendimi,
ju guxoni që të bëni një lidhje mes dialektikës së Hegelit, mohimi të
mohimit, dhe shprehjes « rien de rien » të Edith Piafit. Përse kultura
popullore nuk ju ka interesuar aq shumë ?
I kam rënë së mirës me këmbë.
Sidomos me kinemanë. Po të mundja që të rifilloja jetën, do të
mundohesha që të kuptoja përse, mes forcave krijuese të fundit të
shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX, ndoshta filmi do të
duhej që të kalonte në vend të parë. Shekspiri, sot do të kishte shkruar
skenare. Kam gabuar, aq shumë kam qenë fëmi i gjuhës greke dhe latine
dhe i një babai ultra konservator klasik. Nuk mund të jemi përherë
të përditësuar. Me muzikën, po : dëgjoj kompozitorë që vijnë pas
Bulezit dhe që më pasionojnë. Me artin konceptual, jo, nuk arrij që ta
ndjek : shkoj në Beaubourg, më tregojnë një grumbull me tulla duke më
thënë që kjo është një vepër e rëndësishme, nuk e di çfarë të them ;
atëhere kuptoj Bakonin kur citon Velaskezin, Grekon e Gojën. Është më
mirë që të jesh i ndershëm me gabimet e tua se sa të mashtrosh.
Po ju, a e konsideroni veten si një krijues ?
Jo, nuk duhen ngatërruar funksionet.
Edhe vetë kritiku, komentuesi, eksigjenti më i talentuar është disa
vite-dritë larg nga autori. Pushkini thoshte : « Faleminderit përkthyes, faleminderit botues, faleminderit kritik, ju keni shkrimet e mia, por jam unë që i shkruaj ato. »
Unë gjithashtu, mbaj letrat. Ky është një privilegj i madh, por kjo nuk
ka të bëjë fare me mrekullinë e një vargu i cili do të recitohet
gjithmonë. I kuptojmë keq burimet intime të krijimit. Ja një shembull,
jemi në Bern para shumë vitesh… Fëmijët nisen për piknik me mësuesen e
tyre e cila i vendos ata përpara një viadukti. Ata vizatojnë, mësuesja
shikon mbrapa shpatullës së një fëmije ; ai i ka shtuar çizme kollonave !
Që prej asaj ditë të gjithë viaduktët janë në ecje. Ky fëmijë quhej
Paul Klee. Krijimi ndryshon gjithshka që vëzhgojmë, disa viza i
mjaftojnë një krijuesi për të na bërë që të shikojmë atë që ishte
tashmë aty. Çfarë misteri çliron krijimi ? Kam shkruar librin Gramatika e krijimit, për ta kuptuar atë. Dhe tani në fund të jetës, akoma nuk e kuptoj.
Mos vetë të kuptuarit na largon nga arti ?
Nga njëra anë jam i lumtur që nuk e kuptoj. Imagjinoni një botë ku neurokimia të na shpjegonte Mozartin…
Po kjo është e mundur, dhe më tremb.
Makineritë janë tashmë interaktive me trurin : kompjuteri dhe qënia
njerzore punojnë bashkë. Ndoshta një ditë mund të ndodhë që historianët
të kuptojnë se ngjarja më e rëndësishme në shekullin e XX, nuk ishte
lufta, as krach-i financiar, por ajo natë ku Kasparov, lojtari i shahut,
humbi kundër një kutie të vogël prej metali. Dhe shkruajti « Makineria nuk ka njehësuar, por ka menduar. »
Kur e pashë këtë, kërkova mendimin e kolegëve të mi në Kembrixh që janë
mbretërit e shkencës. Më thanë se nuk e dinin nëse mendimi ishte një
llogari. Kjo është një përgjigje e tmerrshme ! A do të mundet që një
ditë kutia e vogël të na krijojë muzikë ?
Përktheu Ylli Demneri

