Bir, i vogli im, i bukuri, degë e gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë…
E di ç’do të bëhem kur të rritem?…
Bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je!
Ç’të të them, unë do mundohem të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.
Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha.
Bëj vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të
shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta
janë e njëjta gjë.
Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe emrin.
Nga Visar Zhiti

