Powered By Blogger

Monday, July 2, 2012

Nuk ke më se kë të joshësh...

Oktavio Paz

Në botën tonë, dashuria është një eksperiencë thuajse e paarritshme. Çdo gjë është kundër saj: morali, klasat, ligjet, racat e bile edhe vetë të dashuruarit. Gruaja ka qenë për burrin, kurdoherë "tjetri", e kundërta dhe plotësuesi i tij. Nëse njëra pjesë e qenies sonë e dëshiron bashkimin me të, një tjetër pjesë po aq imponuese - e refuzon dhe e përjashton atë. Gruaja është një objekt, ndonjëherë i çmuar, ndonjëherë i dëmshëm, por gjithmonë i ndryshëm. Duke shndërruar atë në një objekt e duke ia nënshtruar deformimeve të diktuara prej interesave të tij, prej vanitetit, vuajtjes e vetë dashurisë së tij, burri e kthen atë në një instrument, në mjet për të siguruar mirëkuptimin dhe kënaqësinë, mënyrën për të realizuar mbijetesën. Gruaja është një idhull, perëndeshë, nënë, shtrigë, apo muzë, siç ka thënë Simone de Beauvoir, po ajo kurrë s'mund të jetë vetja e saj. Kësisoj marrëdhëniet tona erotike janë të prishura që në fillim të herës, janë helmuar që në rrënjë. Mes nesh hyn një fantazëm, e kjo fantazëm është imazhi i saj, imazhi që ne kemi përftuar për të e që ajo ia ka veshur vetes. Kur zgjasim dorën për ta prekur, ne as që mund të bëjmë kështu pa menduar më parë mishin, pasi na ndërhyn gjithmonë ky imazh i epshëm e i përunjur. Dhe e njëjta gjë i ndodh edhe asaj: ajo mund ta perceptojë veten e saj veçse si një objekt, apo si diçka "tjetër". Ajo nuk është asnjëherë zonja e vetvetes. Qenia e saj ndahet mes asaj që ajo është në të vërtetë dhe asaj çka imagjinon se është, dhe ky imazh asaj i është diktuar nga familja, klasa, shkolla, miqtë, feja dhe ai që do. Ajo kurrë nuk e shpreh feminilitetin e saj, pasi kjo gjë manifestohet gjithmonë në format e shpikura prej burrave për të. Dashuria nuk është diçka "natyrale". Ajo është diçka humane, më humania e të gjitha tipareve. Diçka që ne e kemi bërë vetë e që nuk gjendet në natyrë. Diçka që ne e krijojmë - dhe e shkatërrojmë - përditë.

Këto nuk janë të vetmet pengesa që qëndrojnë mes dashurisë dhe nesh. Dashuria është një zgjedhje..... mbase një zgjedhje e lirë e fatit tonë, një zbulim i beftë i pjesës më sekrete e më fatlume të qenies sonë. Por zgjedhja e dashurisë është e pamundur në shoqërinë tonë. Në një nga librat e tij më të mirë - Dashuri e marrë - Breton thotë se ajo që në fillim kufizohet nga dy pengesa: mosaprovimi social dhe ideja kristiane e mëkatit. Për t'u realizuar dashuria duhet të shkelë ligjet e botës sonë. Ajo është skandaloze dhe kundër rregullave, një shkelje e kryer nga dy yje që i shkëputen orbitave të tyre të paradestinuara e që bashkohen në hapësirë. Koncepti romantik i dashurisë, perceptuar si një ikje e si një katastrofë, është i vetmi që njohim sot, pasi gjithçka në shoqërinë tonë e pengon dashurinë të jetë një zgjedhje e lirë.

Gratë janë ngujuar brenda atij imazhi mashkullor që shoqëria u ka imponuar; kësisoj, nëse ato tentojnë një zgjedhje të lirë ajo duhet të jetë një farë arratisje nga burgu. Të dashuruarit thonë se "dashuria e ka transformuar atë, e ka bërë tjetër njeri". Dhe kanë të drejtë. Dashuria e ndryshon krejtësisht një grua. Nëse ajo guxon të dashurojë, nëse guxon të jetë vetvetja, asaj i duhet të shkatërrojë imazhin ku atë e ka ngujuar bota.

Edhe burri është po ashtu i ndaluar të bëjë zgjedhjen e tij. Radha e mundësive të tij është shumë e kufizuar. Si fëmijë ai e zbulon feminilitetin tek e ëma apo te motrat e tij, dhe që nga ky moment e identifikon dashurinë me tabutë. Erotizmi ynë kushtëzohet nga tmerri dhe tërheqja e incestit. Jeta moderne, në të njëjtën kohë i nxit ndjeshëm dëshirat tona, ndërkohë që edhe i ndrydh ato me gjithfarë pengesash: sociale, morale, bile edhe të karakterit higjenik. Faji është njëherësh mamuzoja dhe freri i dëshirës. Zgjedhja jonë kufizohet nga çdo gjë. Ne, dashuritë tona më të qenësishme duhet t'ia përshtasim atij imazhi që grupi ynë shoqëror aprovon për një grua. Është e vështirë të dashurosh persona të racave, kulturave e shtresave të tjera, edhe pse është absolutisht e mundur që një i bardhë të dashurojë një zezake, zezakja të dashurojë një kinez e një "zotëri" shërbëtoren e tij. Dhe anasjelltas. Por të tilla mundësi ne na bëjnë të skuqemi, e për sa kohë jemi të ndaluar të bëjmë zgjedhjen tonë të lirë, zgjedhim njërën ndër ato gra që janë të "përshtatshme". Ne asnjëherë nuk e pranojmë se jemi martuar me një grua që nuk e duam, me një grua që mbase na do, por që është e paaftë të jetë vetvetja. Sëann thotë: "E të mendosh se kam humbur vitet më të mira të jetës sime me një grua që nuk është tipi im." Shumica e burrave të sotëm mund ta përsërisin të njëjtën frazë në shtratin e tyre të vdekjes. Dhe me ndryshimin vetëm të një fjale, të njëjtën gjë mund të thonë shumica e grave sot.

Shoqëria e mohon natyrën e dashurisë duke e konceptuar atë si një bashkim të qëndrueshëm, qëllimi i të cilit është zënia dhe rritja e fëmijëve. Ajo e identifikon atë me martesën. Çdo shkelje e këtij rregulli ndëshkohet, ndërsa ashpërsia e ndëshkimit varet nga koha dhe vendi. (Në Meksikë ndëshkimi shpesh është fatal nëse shkelësi është gruaja, pasi - siç ndodh me të gjithë popujt hispanikë - ne kemi dy kode morale: një për "senjorin" dhe një tjetër për gratë, fëmijët dhe të varfërit.) Mbrojtja që i bëhet martesës do të ishte e justifikueshme nëse shoqëria do të lejonte zgjedhjen e lirë. Për sa kohë një gjë e tillë nuk ndodh, ajo duhet të pranojë faktin se martesa nuk është realizimi suprem i dashurisë, por vetëm një formë legale, sociale dhe ekonomike me qëllime të ndryshme nga ato të dashurisë. Qëndrueshmëria e familjes varet nga martesa, e cila kthehet thjesht në një strukturë mbrojtëse për shoqërinë me qëllimin e vetëm, riprodhimin e po kësaj shoqërie. Kësisoj, martesa për nga natyra është thellësisht konservatore. Ta sulmosh atë është të sulmosh vetë themelet e shoqërisë. Ndërsa dashuria, për të njëjtat arsye, është një akt antisocial, megjithëse jo në mënyrë të qëllimshme. Saherë që arrin të realizohet, ajo prish një martesë dhe e bën atë ashtu siç nuk dëshirohet nga shoqëria: një sipërfaqje të dy qenieve vetmitare që krijojnë botën e tyre, një botë që hedh tutje gënjeshtrat e shoqërisë, ndalon kohën dhe punën, dhe e deklaron veten të vetë-mjaftueshme. Nuk është hiç për t'u habitur, atëherë, që shoqëria e dënon dashurinë dhe dëshminë e saj - poezinë - me të njëjtën keqdashje, duke e dënuar atë t'i përkasë vetëm botës konfuze e klandestine të të ndaluarës, absurdit, anormalitetit. Po ashtu nuk është e çuditshme që si dashuria edhe poezia shpërthejnë në forma të çuditshme, të dëlira: një skandal, një krim, një poemë.

Si rezultat i kësaj mbrojtjeje që i bëhet martesës, dashuria persekutohet dhe prostituimi, ose tolerohet ose i jepet bekimi zyrtar. Qëndrimi ynë mëdyshës në lidhje me prostitucionin është absolutisht domethënës.

Disa e konsiderojnë këtë institucion si të shenjtë, por mes nesh ai është në mënyrë të alternuar sa i përbuzur, aq edhe i dëshirueshëm. Prostituta është një karikaturë e dashurisë, viktimë e dashurisë, simbol i fuqive që zvetënojnë shoqërinë tonë. Por edhe ky parodizim i dashurisë nuk mjafton: në qarqe të caktuara lidhjet e martesës janë zhbërë kaq shumë, saqë lidhjet dyfishe përbëjnë rregullin e përgjithshëm tashmë. Personi që kalon sa në një shtrat në tjetrin nuk quhet më një i shthurur. Burri joshës - ai nuk mund të kapërcejë veten pasi gratë janë gjithmonë instrumente të vanitetit apo ankthit të tij - është një figurë po aq e dalë mode sa edhe ajo e kalorësit mesjetar. Nuk ke më se kë të joshësh, ashtu si nuk ka më vasha për t'u shpëtuar e përbindësha për t'u shkatërruar. Erotizmi modern është i ndryshëm nga ai i Sade-it, për shembull. Sade ishte një karakter tragjik, një njeri krejtësisht i ndërkryer, dhe vepra e tij është një zbulim shpërthyes i gjendjes njerëzore. Nuk ka heronj aq të dëshpëruar sa të tijët. Erotizmi modern, nga ana tjetër, është thuajse gjithmonë retorik, veçse një ushtrim i vetëkënaqur letrar. Nuk është më një zbulesë e njeriut; po thjesht një dokument më shumë që përshkruan një shoqëri që nxit krimin dhe dënon dashurinë. Liria e pasionit? Divorci nuk përbën më një betejë për t'u marë. Nuk është edhe aq një mënyrë për të flakur tutje lidhje të krijuara njëherë e mirë, sesa një mënyrë për t'i lejuar burrat dhe gratë të zgjedhin në liri. Në një shoqëri ideale, baza e vetme për divorc do të ishte zhdukja e dashurisë apo shfaqja e një dashurie të re. Në një shoqëri ku gjithsecili mund të jetë i lirë në zgjedhjet e tij, divorci do të kthehej në një anakronizëm apo në një gjë të rrallë, njësoj si prostitucioni dhe lidhjet dyfishe apo tradhtia bashkëshortore.

Shoqëria pretendon të jetë një tërësi organike që jeton me forcat e veta dhe për veten e saj. Por ndërkohë që e koncepton veten si një njësi të pandashme, së brendshmi ajo ndahet prej një dualizmi që mbase e trashëgon që nga koha kur njeriu pushoi së qeni kafshë, kur ai shpiku veten e tij, vetëdijen e tij, etikën e tij. Shoqëria është një organizëm që vuan domosdoshmërinë e çuditshme për të justifikuar qëllimet dhe orekset e saj. Ndonjëherë qëllimet e saj - nën petkun e normave morale - përkojnë me dëshirat dhe nevojat e atyre që e përbëjnë atë. Por ndonjëherë ato mohojnë aspiratat e grupeve minoritare apo klasave të rëndësishme shoqërore, e shumë shpesh ato, madje, mohojnë instiktet më të thella të njeriut. Kur ndodh kjo e fundit, shoqëria jeton një periudhë krize: ajo ose shpërthen, ose bie në stagnacion. Përbërësit e saj nuk janë qenie njerëzore, por shndërrohen në ca instrumente pa shpirt.

Dualizmi si tipar i vetvetishëm i çdo shoqërie, e që çdo shoqëri përpiqet ta zgjidhë duke u transformuar në një komunitet, sot shprehet në shumë mënyra: e mira dhe e keqja, lejimi dhe tabuja, idealja dhe realja, racionalja dhe irracionalja, bukuria dhe shëmtia, ëndrrat dhe zhgëndrrat, varfëria dhe begatia, borgjezia dhe proletariati, padija dhe dija, imagjinata dhe arsyeja. Përmes një lëvizjeje të parezistueshme të vetë qenies së saj, shoqëria përpiqet ta kapërcejë këtë dualizëm e t'i shndërrojë komponentet e saj armiqësore e vetmitare në një tërësi harmonike. Por shoqëria moderne përpiqet ta bëjë këtë duke shtypur dialektikën e vetmisë, e vetmja që mund ta bëjë të mundur dashurinë. Shoqëritë e industrializuara, pavarësisht diferencave të tyre "ideologjike", politike apo ekonomike, përpiqen të kthejnë diferencat cilësore - domethënë ato njerëzore - në një uniformitet sasior. Metodat e prodhimit masiv aplikohen edhe për moralin, artin dhe emocionet. Kontradiktat dhe përjashtimet janë eliminuar, dhe kjo rezulton në mbylljen e rrugës sonë drejt eksperiencës më të vërtetë e më të thellë që mund të na ofrojë jeta, atë të zbulimit të realitetit si një tërësi ku të kundërta puqen. Fuqitë e reja e ndalojnë vetminë me dekret... kësisoj ndalojnë edhe dashurinë, një formë klandestine e heroike e bashkësisë. Mbrojtja e dashurisë ka qenë gjithmonë një vepër e rrezikshme antisociale. Tani, bile, po nis të bëhet edhe revolucionare. Problemi i dashurisë në botën tonë zbulon se si dialektika e vetmisë në manifestimin e saj më të thellë, është e flustruar nga shoqëria. Jeta jonë sociale parandalon gati çdo mundësi për realizimin e një bashkësie të vërtetë erotike.

Dashuria është një nga shembujt më të qartë të atij instikti të dyfishtë që na bën të rrëmojmë thellë në veten tonë e, në të njëjtën kohë, të ngrihemi nga vetja për t'u realizuar në një tjetër gjë: vdekje dhe rikrijim, vetmi dhe bashkësi. Po nuk është vetëm kjo. Në jetën e gjithsecilit ka periudha që janë njëkohësisht ikje dhe ribashkime, ndarje dhe pajtime. Secila nga këto faza është përpjekje për të kapërcyer vetminë tonë, dhe izolohet nga një kredhje në ambiente të panjohura!
Shkruar nga Oktavio Paz

Sunday, July 1, 2012

Pabarazia pjell probleme të mëdha

Dy epidemiologjistë britanikë, Richard Wilkinson dhe Kate Pickett, kanë shkruar librin me titull “The Spirit Level: Why Greater Equality Makes Societies Stronger”. Autorët në këtë libër rrahin të argumentojnë, se “pabarazia e thellë i bën dëm të pariparueshëm psikës humane, krijon makthe, dyshim, mosbesim, dhe një seri sëmundjesh mendore e psikike. Këtë përfundim ata e mbështesin me shumë të dhëna statistikore. “Nëse nuk ia dalim mbanë të shmangim pabarazinë e thellë”, nënvizojnë ata, “atëherë do të na duhet të ndërtojmë më shumë burgje e të paguajmë më shumë policë; do të na duhet, gjithashtu, të përballemi me më shumë njerëz me sëmundje mendore, me njerëz të dhënë pas drogës, e me probleme të kësaj natyre”. Thelbi i arsyetimeve të tyre në këtë drejtim ka të bëjë me besimin, se njerëzit janë kafshë sociale, dhe se në shoqëritë me pabarazi të dukshme, kush është në nivelet e poshtme vuan prej patologjish të shumta. Nga një studim i kryer në harkun e një kohe të gjatë lidhur me shërbimin civil britanik rezultoi, që rojtarët, postierët, dhe të gjithë të tjerët me status të ulët social janë më të prekshëm nga sëmundjet e zemrës, kanceret, sëmundje të tjera, apo vetvrasjet. Argument ndjellës, s’ke ç’thua. Shkurt, libër për t’u lexuar. Gjynah që s’gjendet në shqip.
M.Nano