Powered By Blogger

Thursday, November 20, 2025

Trashëgimia e njerëzillëkut


Me termin përulësi, kemi parasysh njerëzit që i venë vetes një objektiv, një ideal, një kauzë të drejtë dhe ashtu, pa folur, pa u ankuar dhe pa u ndjerë i lënë pas shoqërisë një trashëgimi të vyer, njerëzillëkun. Këta zakonisht krijojnë një shtresë që kudo, në të gjithë botën normale, quhet shtresa e mesme dhe që zakonisht është baza e shoqërisë. 

Të përulurit edhe martohen. Si gjithë dynjaja edhe këta kanë familje, rrisin fëmijë, shkojnë në punë, shikojnë televizor. Veçse nuk bërtasin: Hajdeni more më shikoni se u martova edhe unë! Jo, ata martohen për qejfin e tyre, paçka se ndonjëherë nuk u shkon jeta mbroth. Se me kë martohen, si e qysh e tek e kur, ata flasin vërtet, por flasin me shokët dhe njerëzit e tyre të afërt. Ata nuk u shurdhojnë veshët njerëzve me brohoritje postmoderne me histori të tipit “Dashuri në kohë të kolerës”. Jo, ata e mendojnë thjesht, dhe sigurisht me përulësi këtë anë. Nuk ngazëllehen ngaqë e ndjejnë se pas festës do të vijë një përgjegjësi e madhe që do t’i bëjë të ndjehen edhe më të përulur sesa janë. Nuk e ngrenë zërin. Jeta është e gjatë, ata e ruajnë atë për më vonë. Nuk janë edhe aq optimistë nga natyra. Kanë parë e dëgjuar shumë dhe besojnë se vetëm maturia është arma e një njeriu për të ecur përpara. Përgjithësisht ata nuk i shohin ngjarjet e mëdha të jetës së tyre si show për të tjerët, përkundrazi. Kur njerëzit largohen nga tavolina e dasmës dhe kur mbetet çifti i të përulurve dhe vetëm ndonjë shishe e rrëzuar vere, që vazhdon të pikojë, ata e vrasin mendjen: Po tani? 


Fatos Baxhaku

Monday, May 19, 2025

Mbas 10 vitesh, a thua ja kuptuam thelbin?!!



Shkruaj rrallë këtu, por sa herë kthehem, gjej një version tjetër të vetes që më flet. Një Irmë të re, të kaluar nëpër stinë të vështira dhe të bukura. Nuk vij shpesh, jo sepse harroj, por sepse këtu s’ka zhurmë. Dhe jo çdo kush meriton të dëgjojë zërin e një zemre që flet pa filtra.


Sot shkruaj sepse maji është 10-vjetori i gjithçkaje.


Ishte pikërisht në këtë muaj kur vendosa t’i përkushtohesha 100% Perëndisë. Në atë kohë isha vetëm e dashuruar, por kjo zgjedhje ndikoi drejtpërdrejt edhe në martesën time. U dashurova me dikë që kishte vite që shërbente dhe e kuptova që kjo nuk do të jetë një martesë “normale”. Do të jetë një thirrje. Një udhëtim që nuk do të ketë gjithmonë dritë, por do të kërkojë gjithmonë besim.


Të zbresësh nga ëndrrat në realitet nuk është e lehtë. Ajo që tingëllon bukur në letër, shpesh përplaset me tokën e lagësht, me zërat e fëmijëve që qajnë nga dhimbja, me shikimet plot dyshim dhe me heshtjen e thellë të atyre që janë mësuar të mos besojnë më askënd.


Por pikërisht aty, ndodh transformimi.


Kemi zgjedhur të jemi të pranishëm. Jo thjesht për të organizuar aktivitete, por për të ndërtuar marrëdhënie. Për të parë Perëndinë të bëjë gjëra që s’i bën dot asnjë program e asnjë skenë. Në çdo hap kemi parë se çfarë mund të bëjë një zemër që nuk tërhiqet.


Rinia që na është besuar ka ardhur nga plagë të thella, paragjykime të ashpra, dhe një histori që u ka mësuar të mos besojnë askënd. Ata nuk afrohen lehtë. Janë rritur me një ndjenjë të thellë që nuk vlejnë dhe kjo, në heshtje, na ka konsumuar me pritshmëritë, me durimin, me energjinë.

Ama kemi parë me kohë edhe disa zemra që nuk i fshijnë më lotët, por i lënë të rrjedhin dhe kur kjo ndodh, e dimë, drita ka çarë një mur. Kaq është mjaftueshëm për të vazhduar.



Takimet me gratë në nevojë nuk kanë qenë thjesht evente. Ato janë kthyer në vend takimesh të Perëndisë me zemra që kanë harruar si është të ndihesh e vlerësuar. Shpërndarja e pakove ushqimore ka qenë shumë më tepër se ndihmë praktike, ka qenë një urë për të hyrë në shtëpi ku fjala “Kishë” nuk do të përmendej kurrë.


Kur miqtë tanë vijnë nga larg, nuk ndodh thjesht një vizitë, por një rikujtesë që nuk jemi vetëm. Që dikush, diku larg, mendon për ne, lutet për ne, na sheh edhe pa qenë këtu. Ata sjellin me vete jo thjesht ndihmë, por praninë që na mungon shpesh, një përqafim vlerësues, një sy që sheh pa paragjykim, një frymë e re që na jep zemër për të vazhduar.


Në këto 10 vite ka pasur gjithçka: net pa gjumë, lutje pa përgjigje, investime që nuk u kthyen kurrë në “fryte” që duken. Ka pasur dhe gabime plot kur kemi dashur të bëjmë të mirën e nuk kemi ditur. Ama një gjë s’ka ndryshuar kurrë: zemra që i tha “po” Atij ditën e parë.


Nuk kemi ardhur me strategji perfekte. Kemi ardhur me zemrën tonë dhe çdo ditë që kemi zgjedhur të qëndrojmë, ka qenë sepse Ai na ka mbajtur e aspak merita jonë.


Kur dritat fiken dhe zhurmat pushojnë, nuk na ngelen kupa triumfi. Shpesh mbesim me dyshime e me lot. Ama e dimë pse jemi këtu dhe për kë.


Zemra na çoi këtu. Zemra është gjithçka që kemi pasur dhe është akoma gjithçka që kemi për të dhënë. 


Për ty që po shërben dhe e lexon veten në këto rreshta.


Nëse ndihesh i lodhur, i padukshëm, në një realitet që e bën të vështirë shpresën, nuk je vetëm.


Ka të tjerë si ty. Të cilët japin çdo ditë pa shumë zhurmë. Të cilët mbjellin në terr, por besojnë në dritë. Të cilët nuk janë dorëzuar sepse besojnë që Ai që nisi veprën, do ta çojë në përfundim.


Faleminderit për çdo lutje që ke bërë. Për çdo të vërtetë që ke thënë me dashuri.

Ne jemi më shumë seç dukemi dhe Ai që na pa kur askush nuk na shihte, do të vazhdojë të jetë besnik.


«Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.»

Galatasve 6:9