Powered By Blogger

Thursday, September 4, 2014

E vetmja zgjidhje në Shqipëri!

A jam unë e vetmja që kam kuptuar se lufta në këtë vend nuk është politike, por një plagë morale, një dhimbje njerëzore?

A jam unë e vetmja që ndjej se zemërimi nuk është vetëm për Saliun apo Edit, për Jozefinën apo Lulin, por për Benin që hesht kur duhet të flasë, për Qamilin që shet ndërgjegjen për një përfitim të vogël, për Odetën që buzëqesh ndërsa të rrënon pas shpine, për Gentin, Albanin, Elonen, Altinin… një listë emrash që s’ka fund, një rrjetë e lodhur prej mashtrimesh dhe zhgënjimesh.

Për mjekun që s’të sheh në sy, por të mban pezull mes dhimbjes dhe krenarisë së tij bosh. Për bizneset që bëjnë mashtrimin zakon, dhe ta shesin si mençuri. Për “mikun” që t’i kthen fjalët në thika, dhe të harron sapo sheh një hije më të ndritshme. Për pedagogun që kërkon ndershmëri nga studentët, por vetë shet nota për një zarf të palosur mirë. Për studentin që s’do të mësojë, por kërkon tituj të lartë, pa lodhur mendjen. Për shefin që të sheh si mjet, jo si njeri me shpirt e lodhje, me ëndrra dhe kufij.



Kush tha se vetmia është dënim?


Jo, në duart e Perëndisë, vetmia mund të jetë shpëtim. Një shkretëtirë ku Ai flet më qartë, një vend i qetë ku zëri i Tij mbush zbrazëtinë. Në një tokë ku ndërgjegjja është mall i rrallë, dhe drejtësia është në ankand, vetmia bëhet strehë, jo për t’u fshehur nga njerëzit, por për të qëndruar më pranë Zotit.


Është në vetmi që Davidi shkroi psalmet, është në vetmi që Elia dëgjoi fëshfërimën e butë, është në vetmi që Jezusi u tërhoq për tu lutur. Vetmia e shenjtë nuk është arratisje, por një altar i brendshëm.

Në një Shqipëri që endet mes dritës dhe errësirës, ku e keqja ka marrë fytyrën e zakonshme, ndoshta të qëndrosh i ndershëm edhe kur je vetëm, është revolta më e shenjtë.

No comments:

Post a Comment