Powered By Blogger

Thursday, November 20, 2025

Trashëgimia e njerëzillëkut


Me termin përulësi, kemi parasysh njerëzit që i venë vetes një objektiv, një ideal, një kauzë të drejtë dhe ashtu, pa folur, pa u ankuar dhe pa u ndjerë i lënë pas shoqërisë një trashëgimi të vyer, njerëzillëkun. Këta zakonisht krijojnë një shtresë që kudo, në të gjithë botën normale, quhet shtresa e mesme dhe që zakonisht është baza e shoqërisë. 

Të përulurit edhe martohen. Si gjithë dynjaja edhe këta kanë familje, rrisin fëmijë, shkojnë në punë, shikojnë televizor. Veçse nuk bërtasin: Hajdeni more më shikoni se u martova edhe unë! Jo, ata martohen për qejfin e tyre, paçka se ndonjëherë nuk u shkon jeta mbroth. Se me kë martohen, si e qysh e tek e kur, ata flasin vërtet, por flasin me shokët dhe njerëzit e tyre të afërt. Ata nuk u shurdhojnë veshët njerëzve me brohoritje postmoderne me histori të tipit “Dashuri në kohë të kolerës”. Jo, ata e mendojnë thjesht, dhe sigurisht me përulësi këtë anë. Nuk ngazëllehen ngaqë e ndjejnë se pas festës do të vijë një përgjegjësi e madhe që do t’i bëjë të ndjehen edhe më të përulur sesa janë. Nuk e ngrenë zërin. Jeta është e gjatë, ata e ruajnë atë për më vonë. Nuk janë edhe aq optimistë nga natyra. Kanë parë e dëgjuar shumë dhe besojnë se vetëm maturia është arma e një njeriu për të ecur përpara. Përgjithësisht ata nuk i shohin ngjarjet e mëdha të jetës së tyre si show për të tjerët, përkundrazi. Kur njerëzit largohen nga tavolina e dasmës dhe kur mbetet çifti i të përulurve dhe vetëm ndonjë shishe e rrëzuar vere, që vazhdon të pikojë, ata e vrasin mendjen: Po tani? 


Fatos Baxhaku

Monday, May 19, 2025

Mbas 10 vitesh, a thua ja kuptuam thelbin?!!



Shkruaj rrallë këtu, por sa herë kthehem, gjej një version tjetër të vetes që më flet. Një Irmë të re, të kaluar nëpër stinë të vështira dhe të bukura. Nuk vij shpesh, jo sepse harroj, por sepse këtu s’ka zhurmë. Dhe jo çdo kush meriton të dëgjojë zërin e një zemre që flet pa filtra.


Sot shkruaj sepse maji është 10-vjetori i gjithçkaje.


Ishte pikërisht në këtë muaj kur vendosa t’i përkushtohesha 100% Perëndisë. Në atë kohë isha vetëm e dashuruar, por kjo zgjedhje ndikoi drejtpërdrejt edhe në martesën time. U dashurova me dikë që kishte vite që shërbente dhe e kuptova që kjo nuk do të jetë një martesë “normale”. Do të jetë një thirrje. Një udhëtim që nuk do të ketë gjithmonë dritë, por do të kërkojë gjithmonë besim.


Të zbresësh nga ëndrrat në realitet nuk është e lehtë. Ajo që tingëllon bukur në letër, shpesh përplaset me tokën e lagësht, me zërat e fëmijëve që qajnë nga dhimbja, me shikimet plot dyshim dhe me heshtjen e thellë të atyre që janë mësuar të mos besojnë më askënd.


Por pikërisht aty, ndodh transformimi.


Kemi zgjedhur të jemi të pranishëm. Jo thjesht për të organizuar aktivitete, por për të ndërtuar marrëdhënie. Për të parë Perëndinë të bëjë gjëra që s’i bën dot asnjë program e asnjë skenë. Në çdo hap kemi parë se çfarë mund të bëjë një zemër që nuk tërhiqet.


Rinia që na është besuar ka ardhur nga plagë të thella, paragjykime të ashpra, dhe një histori që u ka mësuar të mos besojnë askënd. Ata nuk afrohen lehtë. Janë rritur me një ndjenjë të thellë që nuk vlejnë dhe kjo, në heshtje, na ka konsumuar me pritshmëritë, me durimin, me energjinë.

Ama kemi parë me kohë edhe disa zemra që nuk i fshijnë më lotët, por i lënë të rrjedhin dhe kur kjo ndodh, e dimë, drita ka çarë një mur. Kaq është mjaftueshëm për të vazhduar.



Takimet me gratë në nevojë nuk kanë qenë thjesht evente. Ato janë kthyer në vend takimesh të Perëndisë me zemra që kanë harruar si është të ndihesh e vlerësuar. Shpërndarja e pakove ushqimore ka qenë shumë më tepër se ndihmë praktike, ka qenë një urë për të hyrë në shtëpi ku fjala “Kishë” nuk do të përmendej kurrë.


Kur miqtë tanë vijnë nga larg, nuk ndodh thjesht një vizitë, por një rikujtesë që nuk jemi vetëm. Që dikush, diku larg, mendon për ne, lutet për ne, na sheh edhe pa qenë këtu. Ata sjellin me vete jo thjesht ndihmë, por praninë që na mungon shpesh, një përqafim vlerësues, një sy që sheh pa paragjykim, një frymë e re që na jep zemër për të vazhduar.


Në këto 10 vite ka pasur gjithçka: net pa gjumë, lutje pa përgjigje, investime që nuk u kthyen kurrë në “fryte” që duken. Ka pasur dhe gabime plot kur kemi dashur të bëjmë të mirën e nuk kemi ditur. Ama një gjë s’ka ndryshuar kurrë: zemra që i tha “po” Atij ditën e parë.


Nuk kemi ardhur me strategji perfekte. Kemi ardhur me zemrën tonë dhe çdo ditë që kemi zgjedhur të qëndrojmë, ka qenë sepse Ai na ka mbajtur e aspak merita jonë.


Kur dritat fiken dhe zhurmat pushojnë, nuk na ngelen kupa triumfi. Shpesh mbesim me dyshime e me lot. Ama e dimë pse jemi këtu dhe për kë.


Zemra na çoi këtu. Zemra është gjithçka që kemi pasur dhe është akoma gjithçka që kemi për të dhënë. 


Për ty që po shërben dhe e lexon veten në këto rreshta.


Nëse ndihesh i lodhur, i padukshëm, në një realitet që e bën të vështirë shpresën, nuk je vetëm.


Ka të tjerë si ty. Të cilët japin çdo ditë pa shumë zhurmë. Të cilët mbjellin në terr, por besojnë në dritë. Të cilët nuk janë dorëzuar sepse besojnë që Ai që nisi veprën, do ta çojë në përfundim.


Faleminderit për çdo lutje që ke bërë. Për çdo të vërtetë që ke thënë me dashuri.

Ne jemi më shumë seç dukemi dhe Ai që na pa kur askush nuk na shihte, do të vazhdojë të jetë besnik.


«Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.»

Galatasve 6:9

Monday, November 14, 2022

BIRI IM…

Bir, i vogli im, i bukuri, degë e gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë…

E di ç’do të bëhem kur të rritem?…

Bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je!

Ç’të të them, unë do mundohem të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.

Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha.

Bëj vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të

shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe

jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta

janë e njëjta gjë.

Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje ëndrrën tënde.

Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe emrin.

Nga Visar Zhiti


Monday, December 22, 2014

Nëse do të largohesha sot...

Ndonjëherë mendoj: Sikur të shkruaja një letër të fundit, jo për t’u ndarë nga jeta, por për të zgjuar ndërgjegjen e një bote që fle. Një letër që të trondiste  jo për të më mëshiruar, por për të parë veten në pasqyrë, për herë të parë.


Sikur fjalët e mia të kishin fuqinë të ndalonin hipokrizinë, të ndalnin heshtjen ndaj padrejtësisë, të ngjallnin një vetëdije të re, do shkruaja pa pushim, ndoshta edhe një libër që të lexohej me lot në sy, jo si fjalët e një të vdekuri, por si zëri i dikujt që pati guximin të flasë.


Nuk e di çfarë është më e frikshme, vdekja apo mungesa e frikës për t’u zhdukur, por e di që ka momente kur shpirti ndjen se gjithçka rreth tij është bosh. Jo sepse Zoti mungon, por sepse njerëzit i kanë kthyer shpinën Atij.


Do doja t’i përballja me të vërtetën familjarëve që s’e dinë çfarë është familja, miqtë që tradhtuan, ata që morën dhe nuk dhanë kurrë, ata që përdorën dashurinë për përfitim, dhe ata që luajtën me ndjenjat si të ishin sende.


Do doja të flisja për burrat që bëhen heronj duke shkatërruar zemra, për gratë që dhuntinë e joshjes nuk e përdorin për të ndërtuar dashuri, por për të thyer besnikëri.

Do doja t’i kujtoja të gjithëve: Nuk ka heronj pa kryq.


Vetëm një Hero dha jetën pa marrë asgjë Jezusi. Ai nuk vdiq për të ndëshkuar, por për të shpëtuar. Për përbindëshat, për hipokritët, për të verbrit shpirtërisht. Edhe për mua. Edhe për ty.


Po, do doja të përmendja Kishën. Jo për ta poshtëruar, por për ta zgjuar. T’i lutesha të mos vidhte më dashurinë që i përket Krishtit, të kujdesej për të vegjlit, për të lodhurit, për të humburit.

Të donte si Ai na deshi.


Do doja të zhdukesha nga kjo botë vetëm për t’i dhënë një leksion ndërgjegjes, por në vend të kësaj, dua të jetoj për t’i kujtuar njerëzve se edhe në fund të errësirës, ka dritë.


Dhe sikur të zhdukesha për botën, do doja të isha një nënë në një vend të largët, që kujdeset për jetimët, që lutet për të humburit, që nuk u dorëzua, sepse Zoti nuk dorëzohet me ne.

Thursday, September 4, 2014

E vetmja zgjidhje në Shqipëri!

A jam unë e vetmja që kam kuptuar se lufta në këtë vend nuk është politike, por një plagë morale, një dhimbje njerëzore?

A jam unë e vetmja që ndjej se zemërimi nuk është vetëm për Saliun apo Edit, për Jozefinën apo Lulin, por për Benin që hesht kur duhet të flasë, për Qamilin që shet ndërgjegjen për një përfitim të vogël, për Odetën që buzëqesh ndërsa të rrënon pas shpine, për Gentin, Albanin, Elonen, Altinin… një listë emrash që s’ka fund, një rrjetë e lodhur prej mashtrimesh dhe zhgënjimesh.

Për mjekun që s’të sheh në sy, por të mban pezull mes dhimbjes dhe krenarisë së tij bosh. Për bizneset që bëjnë mashtrimin zakon, dhe ta shesin si mençuri. Për “mikun” që t’i kthen fjalët në thika, dhe të harron sapo sheh një hije më të ndritshme. Për pedagogun që kërkon ndershmëri nga studentët, por vetë shet nota për një zarf të palosur mirë. Për studentin që s’do të mësojë, por kërkon tituj të lartë, pa lodhur mendjen. Për shefin që të sheh si mjet, jo si njeri me shpirt e lodhje, me ëndrra dhe kufij.



Kush tha se vetmia është dënim?


Jo, në duart e Perëndisë, vetmia mund të jetë shpëtim. Një shkretëtirë ku Ai flet më qartë, një vend i qetë ku zëri i Tij mbush zbrazëtinë. Në një tokë ku ndërgjegjja është mall i rrallë, dhe drejtësia është në ankand, vetmia bëhet strehë, jo për t’u fshehur nga njerëzit, por për të qëndruar më pranë Zotit.


Është në vetmi që Davidi shkroi psalmet, është në vetmi që Elia dëgjoi fëshfërimën e butë, është në vetmi që Jezusi u tërhoq për tu lutur. Vetmia e shenjtë nuk është arratisje, por një altar i brendshëm.

Në një Shqipëri që endet mes dritës dhe errësirës, ku e keqja ka marrë fytyrën e zakonshme, ndoshta të qëndrosh i ndershëm edhe kur je vetëm, është revolta më e shenjtë.

Friday, August 22, 2014

Ka një dashuri të ndershme!

E mbani mend çfarë kam shkruar për meshkujt para disa kohësh? Saktësisht dy vite e gjysmë më parë… “Filozofituçet e gjeneratës time” kështu i quajta, me një gjuhë thumbuese  dhe një zemër që s’dinte më çfarë të besonte. Por sot kam një lajm që as vetë nuk do ta besoja atëherë:

Kam rënë në dashuri.


Po, me dikë që më shkruan çdo ditë për lulet dhe hënën, që më kujton se edhe gjërat më të vogla mund të bëhen të shenjta kur ndahen me dashuri. Që më sheh jo si një sfidë për t’u zgjidhur, por si një shpirt për t’u njohur ngadalë.


Rilexova shkrimet e mia të vjetra, dhe për një moment, nuk njoha më veten. Më dukej sikur dikur kisha harruar të ëndërroja.Tani më duket sikur gjithmonë kam qenë e dashuruar, thjesht nuk e dija se me kë.


Për shumë vite, kam ndier se e vetmja që më donte vërtet ishte Mami. I dua të tjerët, por e kam ditur që nuk mund të mbështetem tek ata. Madje shpesh ndihesha sikur ishin aty vetëm për të më lodhur më shumë. Tani, për herë të parë pas shumë kohësh, nuk jam vetëm. Në jetën time dua vetëm Mamin… dhe Mirin.


Dashuria më ishte dukur e pamundur. Jo sepse nuk ekzistonte, por sepse më ishte mbuluar nga marrëdhënie të prishura, nga lidhje që ndodhnin për inerci, nga shfrytëzime të fshehura pas fjalësh të bukura.

Tani e di:

Dashuria e përsosur ndoshta nuk ekziston, por ka një dashuri të ndershme, që të rrit, që të fal pa kushte, që të prek pa të djegur, që të pranon edhe kur ti vetë nuk e bën dot.


Dhe kjo mjafton.

Tuesday, September 17, 2013

Sa shume borxhe me ka virtualiteti!

Ne fakt virtualiteti po me behet i besdishem edhe pse vazhdoj ta ndjej te nevojshme!

E bukura ne fillim ishte te flisje me njerez qe nuk i njeh! T’ia thuash atyre sekretet e tua eshte gjeja me e lehte dhe me e pademshme qe mund te ndodh, ndjehesh mire apo jo te nxjerresh secrete?!
Ja qe dhe e bukura behet e merzitshme ndonjehere dhe i thua stop bisedave me te panjohur njesoj sic mami te ka keshilluar qe e vogel!
Pastaj filloj e flas me miqte e mi, derisa e folura shkon me shprehje te tilla “ku je mi dreq se ke hum fare” apo  “na ke bo dalje fare mi goce”! S’me vjen fare ti pergjigjem komenteve te tilla! Me e forta eshte kur ke kohe qe nuk i degjon dhe ne inbox te vjen nje mesazh “Irma sa eshte bileta Tirane-Frankfurt?” Ehh ndodh ndodh …

Edhe pse i di shkaqet perse eshte I besdisshem, nuk po arrij te gjej shkaqet perse vazhdon te jete i nevojshme per mua!
Ne nje fare menyre i njoha dhe me njohen te gjithe, pra perjashtohet entuziasmi qe te sjell anonimati.
Mund te jete deshira per te ditur c’po ndodh me miqte e mi, meqe dhe mundesia per ti takuar perdite nuk eshte.

Kam friken se, neqoftese largohem nga virtualiteti largohem fare nga bota, dhe te gjithe me harrojne dhe i harroj.

Eshte i domosdoshem normal, me vjen shume inat per kete.
Edhe pse nuk jam shume e vogel, nuk e mbaj mend fare kohen kur nuk kisha as adrese email-in e jo me facebook.
Cfare beja une ne kohe te lire? Kerceja me shume, lexoja me shume, shikoja me shume TV dhe studioja me shume besoj. Ndersa tani ne kohe te lire, edhe pse mund ti perseris prap keto gjera, me duket se kur nuk kam virtualitet nuk kam fare cfare te bej..


Sa keq …… 

Sunday, September 23, 2012

A duhet vertet te me interesoj, ne eshte apo jo Kristi Pinderi dhe Altin Hazizaj homoseksual??!


Ne e dime si funksionon ne Shqiperi, te gjithe drejtuesit jane koqe kanari, asnje nuk di ta drejtoj kete vend dhe ne te shkretet, popullit qe i ka rene te mos drejtoj, perulet ndaj tyre! Por kjo eshte nje gje tjeter edhe une me turmen tashme e kam pranuar kete, u mesova!
Ok se tani duhet ta bej  bukur lidhjen se ku e kam fjalen, po s’po di si te kaloj keshtu qe po shkoj direkt ne teme.
Habitem tej mase me drejtuesit e nje shoqate per te drejtat e homoseksualeve, Kristi Pinderi dhe Altin Hazizaj.Neper emisione televizive ne mbrojtje te ketij komuniteti, kur shprehen thone ATA dhe asnjehere NE. Audiences i ngelet te imagjinoj a jane keto 2 individe homoseksuale apo jo, edhe pse ato deklarojne qe nuk jane.
Po te mos ishin drejtuesit , te cilet per mendimin tim duhet te ishin si “pastor”, udherrefyes, barinj per anetaret e asaj shoqate, pervec kuriozitetit, s’do kisha asnje arsye pse te kerkoja ta dija  se ke dashurojne keto te dy, por ja qe ndryshon nje cik puna.
Kam folur para disa ditesh me nje mikun tim, ish- anetar te kesaj shoqate. Per kuriozitet e pyeta: “mor po ky Kristi Pinderi a eshte gay? Po ky Altin Hazizaj eshte se gjithmon shprehen qe nuk jane, dhe kur nuk jane te tille, si ka mundesi qe jane drejtues”?? – “ Irma te githe anetaret e asaj shoqate e dine shume mire qe ato te dy jane gay”!
            Po po fiks keshtu me tha: Normal qe u habita, cfare thoni ju! Ato “luftojne” per te drejtat e homoseksualeve qe e kane pranuar tashme qe jane te tille dhe si pasoje po heqin te zite e ullirit! Ndersa ti qe po “lufton” ti s’ke aq kellqe sa ta pranosh!
            Atehere me thoni, si eshte e ardhmja e atyre te shkreteve te cilet me shume se 90 % vuajne nga depresioni! Cfare shembulli dhe inkurajimi jep ti?!
            Si  ke arritur te drejtosh nje organizate te tille??!! Si ju anetar e pranoni kete, eshte pa llogjik. Tani une e di qe kam shume miq te perbashket me ata, por ky eshte blogu im nuk eshte as gazete as ndonje mjet mediatik, dhe ne blogun tim une shkruaj cfare te dua dhe si ta dua :D
            Po me vjen ne mendje Martin luther King, cfare do ndodhte nqs ai do ishte i bardhe, kush do inkurajohej nga ai?! Bah s’besoj se do kishte influencen qe pati dhe s’besoj se do luftonte me te njejten force kauzen qe ne te vertet, nuk do ishte ne menyre te drejtperdrejt e tija!

S’di c’te them … ama e kuptoj mire qe pervec te tjerave, prapanica e Kristi Pinderit dhe Altin Hazizaj eshte shume e zgjuar… 


Sunday, August 26, 2012

Intervistë me George Steiner

E vodha ne nje blog qe kam gjithe javen qe e lexoj! Ky shkrimtar me ka bere te lexoj edhe mbi temat qe as nuk me kane interesuar ndonjehere! Ka perkthyer dhe shkruajtur mbi cdo gje qe mua me duket interesante! Per me shume eshte shqiptar, nuk ka vdekur (nuk mendoja kurre qe nje shkrimtar  shqiptar i gjall do me interesante kaq shume) dhe e kemi ditelindjen ne te njejten date (shoqja ime Sevi do thoshte -  oh, po eshte peshqit prandaj eshte kaq i mire )! Per shkak se nga faqja e tij nuk dija si ta ndaja me ju(ishte ne nje gjuhe qe une nuk ja thek fare) i bera nje ripostim tek blogu im pa ndryshuar asgje, edhe per mos e humbur si interviste per me shume! Mos e lini pa lexuar intervisten e George Seiner perkthyer nga ai.

Europa po jeton një krizë të thellë. Sipas mendimit tuaj, a është i mundur shkatërrimi i saj? Në gjendjen e saj akutale, është i mundur. Por, në një mënyrë apo një tjetër, do t’ia dalim mbanë. Ironia, është që Gjermania do të dominojë përsëri. Le të prapsemi pak. Mes muajit gusht 1914 dhe muajit maj 1945, Europa, nga Madridi në Moskë, nga Kopenhaga në Palermë, ka humbur 80 million qënien njerzore në luftrat, internimet, kampet e vdekjes, zitë e bukës, bombardimet. Mrekullia, ajo ka mbijetuar. Por ringjallja e saj nuk ka qenë veçse e pjesshëme. Europa kalon sot një krizë dramatike ; ajo është duke sakrifikuar një brez, brezin e ri, i cili nuk beson në të ardhmen. Kur isha i ri kishte lloj-lloj shpresash : komunizmi, e çfarë shprese ! Fashizmi, që është gjithashtu një shpresë, por që nuk duhet të gabohesh. Egzistonte, po ashtu, për çifutët, sionozmi. E plot, e plot… Të gjitha këto nuk i kemi më. Gjatë rinisë, po nuk u mbajte nga një shpresë, qoftë dhe e rremë, çfarë mbetet ? Asgjë. Ëndrra e madhe mesianike socialiste përfundojë ke gulagu dhe François Hollande – e marr emrin e tij si simbol, nuk kritikoj personin e tij. Fashizmi u zhyt në tmerr. Shteti izraelit, domosdoshmërisht që duhet të mbijetojë, por nacionalizmi i tij është një tragjedi, thellësisht e kundërt me mençurinë çifute, që është kosmopolite. Unë vetë dua që të jem një endacak. Jetoj sipas devizës të Baal Shem Tov, rabin i madh i shekullit të XVIII–të : « E vërteta është gjithmonë në ekzil. »
Po mondializimi a e favorizon këtë endje ?
Nuk ka patur asnjëherë një mbyllje të tillë gjeografike. Kur linim Anglinë, mund të shkonim në Australi, në Indi, në Kanada ; sot nuk ka më të drejtë pune. Planeti po mbyllet. Çdo natë qindra vetë përpiqen që të kapin Europën që nga Magrebi. Planeti është në lëvizje, po drejt çfarë gjëje ? I tmerrshëm është sot fati i emigrantëve. Më nderuan në Gjermani me një fjalim që mbajta përpara qeverisë. E mbylla me këto fjalë : «  Zonja e Zotërinj, tani të gjitha yjet po bëhen të verdhë. »
Me gjithë këto, a ndjeheni ju europian ?
Europa mbetet vendi i masakrës, i pakuptushmërisë, po gjithashtu i kulturave që dua. I kam borxh gjithshka dhe dua të jem aty ku janë të vdekurit e mi. Dua të qëndroj jo larg Shoah-s, atje ku mund të flas katër gjuhët e mia. Kjo është qetësia ime madhe, lumturia ime, kënaqësia ime. E kam mësuar italishten pas anglishtes, frengjishtes e gjermanishtes, tri gjuhët e fëmijërisë. Nëna ime fillonte një frazë në një gjuhë dhe e përfundonte në një tjetër, pa e kuptuar. Nuk kam patur gjuhë amtare, por, ndryshe nga mendimet e pranuara prej të gjithëve, kjo është mjaft e zakonshme. Në Suedi kemi filandishten dhe suedishten ; në Malezi, fliten tri gjuhë. Ideja e gjuhës amtare është një ide tepër nacionaliste e romantike. Njohja e disa gjuhëve më ka lejuar që të jap mësim, të shkruaj Après Babel : une poétique du dire et de la traduction dhe të ndjehem gjithkund si në shtëpinë time. Çdo gjuhë është një dritare e hapur mbi botën. Pemët kanë rrënjë ; ndërsa unë, unë kam këmbë, dhe ky është një progres i jashtzakonshëm, më besoni !
Në librin tuaj të fundit Poesia e mendimit,  ju tregoni që Sartri donte që të ishte Stendal dhe Spinoza. A të çon stili tek mendimi ?
Po, e gjithë filozofia është një akt i gjuhës. Ritmi, fjalori, sintaksa, gjithshka që na drejton drejt poezisë, e që e gjejmë po ashtu në teksin filozofik, sado abstrakt qoftë ai. « Çdo mendim fillon nga një poezi », shkruante Alain në lidhje me Valerinë. Mendimtarët e mëdhenj janë shpesh herë shkrimtarë  supremë, ashtu si Niçe apo Kierkegard.
Bergsoni, një nga mjeshtrat e gjuhës franceze, ka marrë çmimin Nobel në letërsi. Platoni meriton që të krahasohet me Shekspirin përsa i përket krijimit të personazheve e gjesteve dramatike. Por marrëdhënia mes mendimit dhe shkrimit mund të shfaqet konfliktuale. Disa filozofë shkruajnë keq, mbysin shkrimtarin që gjendet në vetën e tyre, si Hegel, mbreti i anti-stilit. Këtë traditë dyfishe, të gjenisë lirike tek një Platon dhe të pedagogjisë së rreptë, të sistemit, tek një Aristotel, e gjejmë që në fillim.
Letërsia dhe filozofia a janë akoma bashkëfajtore sot ?
Të dyja format më duken të rrezikuara. Letërsia ka zgjedhur fushën e lidhjeve të vogla personale. Ajo nuk di të trajtojë më temat e mëdha metafizike. S’ka më Balzak, Zola. Asnjë fushë nuk i shpëtonte këtyre gjenive të komedisë njerzore. Prusti gjithashtu ka krijuar një botë të pashterrshme, dhe Ulysse i Xhoisit është akoma shumë pranë Homerit… Xhojsi, është  pikëkalimi mes dy botëve, i asaj klasike dhe i asaj të kaosit. Dikur, filozofia gjithashtu mund të thuhej universale. E gjithë bota ishte e hapur përpara mendimit të një Spinoze.
Sot, një pjesë e madhe e universit na është mbyllur. Bota jonë tkurret. Shkencat na janë bëre të pakapshme. Kush mund t’i kuptojë aventurat e fundit të gjenetikës, astrofizikës, biologjisë ? Kush mund t’ia shpjegojë ato profanit ? Dijet nuk komunikojnë më ; shkrimtarët dhe filozofët janë të pazotët për të na e bërë të kuptushme shkencën. E megjithatë shkenca shkëlqen nga imagjinata e saj. Si mund të pretendosh që të flasësh për koshiencë njerzore duke lënë mënjanë atë ç’ka është më kurajozja, më përfytyruesja ? Shqetësohem kur mundohem të kuptoj se çdo të thotë «  të jesh i ditur » sot – « to be literate », shprehja është më e fortë në anglisht. A mund të jemi të ditur pa kuptuar një ekuacion jo linear ? Kultura po rrezikon të bëhet provinciale. Ndoshta do të na duhet që ta rimendojmë të gjithë konceptin që kemi për kulturën.
Dua që t’ju tregoj një rast që më ka emocionuar pamasë : një mbrëmje, një nga kolegët e mi të Kembrixhit, çmim Nobel, një burrë i këndshëm, me të cilin po haja darkë, më kërkojë që ta ndihmoja mbi një tekst të Lakanit nga i cili nuk kuptonte asgjë. Modestia e një shkencëtari të madh krahasuar me fodullikun, ku nuk ka ku të shkoj, të mjeshtërve bizantinë të errësirës…
Ju mbroni kulturën klasike të njeriut të kulturuar, dhe në të njejtën kohë insistoni në brishtësinë e saj. Përse ?
Sepse kultura e lartë ka falimentuar përballë barbarisë. Të mos harrojmë që  të dy luftrat botërore ishin luftra civile europiane. Gjermania, vendi i Hegelit, Fishtes dhe Shelingut, matricë e mendimit filozofik, ka njohur më  të keqen e barbarisë. Humanizmat nuk na kanë mbrojtur ; përkundrazi, shpesh ato kanë qene aleatë të antihumanizmit. Bukenvaldi nuk ndodhet veçse disa kilometra larg nga Weimari. Si ka mundësi që disa njerëz të luajnë Bah e Shubert në shtëpinë e tyre në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes të torturojnë nëpër kampe ?
Për çfarë shërben kultura atëhere, nëqoftëse ajo nuk na bën më njerzorë ?
Ajo e bën të durueshme egzistencën. Nuk është e lehtë që të jesh i vdekshëm, jo, nuk është aspak e lehtë. Të gjithë jemi të përballur me kancerin, stresin, frikën ; çdo ditë mund të mbajë një lamtumirë, dhe s’ka gjë më të ankthshme. Do t’ju tregoj diçka me të vërtetë foshnjore : gruaja dhe unë humbëm qenin tonë Ben. Ishte e tmerrshme për ne, aq shumë kjo kafshë ka qenë në qendër të jetës sonë !
Nuk mund të kaloj një ditë pa muzikë, pa bukuri, pa poezi. Kjo është siguria ime, mbijetesa ime. Shoqëria e mjeshtërve të mëdhenj më jep një ndjenjë të pafund krenarie e mirënjohje. Dua që t’i them faleminderit. Duke i mësuar përmendsh. Atë që mësojmë përmendsh askush nuk mund të na e heqë. As çensura, as policia politike, as kitsch-i që na rrethon. Të mësuarit përmendsh bën që të futesh në vetë veprën : « Ti do të jetosh në veten time e unë do të jetoj me ty. »
Tekset ecin në krah me ne; të shëtisësh me një poezi të Bodlerit do të thotë që të jesh i mirëshoqëruar.
Sipas jush, teknologjitë e reja e rrezikojnë « qetësinë » dhe « intimitetin » që duhet për kontaktin me veprat e mëdha…
Po, cilësia e qetësisë është organikisht e lidhur me atë të gjuhës. Ju dhe unë jemi të ulur këtu, në këtë shtëpi të rrethuar nga një kopësht, ku nuk ka tjetër zhurmë përveç bisedës sonë. Këtu, mund të punoj, të përpiqem që të mendoj. Qetësia është bërë një lluks i madh. Njerzit jetojnë në një zallamahi. Nuk ka më mbrëmje në qytete. Të rinjtë kanë frikë nga qetësia. Çdo të bëhet me leximin serioz e të vështirë ? Të lexosh një faqe nga Platoni me walkman në vesh ? Kjo më tremb shumë.
Teknologjitë e reja transformojnë dialogun me librin. Ato shkurtojnë, thjeshtëzojnë, konektojnë. Shpirti është i « kablluar ». Sot nuk lexohet si dikur. Fenomeni Harry Potter shfaqet si një përjashtim. Të gjithë fëmijët e globit, fëmijë eskimezë, fëmijë zulu, lexojnë e rilexojnë këtë sagë ultra angleze të pajisur me një fjalor të pasur dhe me një sintaksë të sofistikuar. Kjo është e hatashme ! Libri është një mbrojtës i madh i jetës private. Në frengjisht nuk ka fjalë për të thënë fjalën « privacy ».  « Intimitet » e përkthen keq atë. Anglia është akoma një vend i « privacy ». Kjo mund të ketë dhe anët e saj absurde : mund të jemi fqinjë për pesëdhjetë vjet e të mos shkëmbejmë një fjalë. Ky kult i « private life » ka një vlerë të madhe politike : është një aftësi e rezistencës.
Ju përmendët Harry Potter. Duke u kthyer tek Poesia dhe mendimi, ju guxoni që të bëni një lidhje mes dialektikës së Hegelit, mohimi të mohimit, dhe shprehjes « rien de rien » të Edith Piafit. Përse kultura popullore nuk ju ka interesuar aq shumë ?
I kam rënë së mirës me këmbë. Sidomos me kinemanë. Po të mundja që të rifilloja jetën, do të mundohesha që të kuptoja përse, mes forcave krijuese të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX, ndoshta filmi do të  duhej që të kalonte në vend të parë. Shekspiri, sot do të kishte shkruar skenare. Kam gabuar, aq shumë kam qenë fëmi i gjuhës greke dhe latine dhe i një babai ultra konservator klasik. Nuk mund të jemi përherë të përditësuar.  Me muzikën, po : dëgjoj kompozitorë që vijnë pas Bulezit dhe që më pasionojnë. Me artin konceptual, jo, nuk arrij që ta ndjek : shkoj në Beaubourg, më tregojnë një grumbull me tulla duke më thënë që kjo është një vepër e rëndësishme, nuk e di çfarë të them ; atëhere kuptoj Bakonin kur citon Velaskezin, Grekon e Gojën. Është më mirë që të jesh i ndershëm me gabimet e tua se sa të mashtrosh.
Po ju, a e konsideroni veten si  një krijues ?
Jo, nuk duhen ngatërruar funksionet. Edhe vetë kritiku, komentuesi, eksigjenti më i talentuar është disa vite-dritë larg nga autori. Pushkini thoshte : « Faleminderit përkthyes, faleminderit botues, faleminderit kritik, ju keni shkrimet e mia, por jam unë që i shkruaj ato. » Unë gjithashtu, mbaj letrat. Ky është një privilegj i madh, por kjo nuk ka të bëjë fare me mrekullinë e një vargu i cili do të recitohet gjithmonë. I kuptojmë keq burimet intime të krijimit. Ja një shembull, jemi në Bern para shumë vitesh… Fëmijët nisen për piknik me mësuesen e tyre e cila i vendos ata përpara një viadukti. Ata vizatojnë, mësuesja shikon mbrapa shpatullës së një fëmije ; ai i ka shtuar çizme kollonave ! Që prej asaj ditë të gjithë viaduktët janë në ecje. Ky fëmijë quhej Paul Klee. Krijimi ndryshon gjithshka që vëzhgojmë, disa viza i mjaftojnë një krijuesi për të na bërë që të shikojmë atë që ishte tashmë aty. Çfarë misteri çliron krijimi ? Kam shkruar librin Gramatika e krijimit, për ta kuptuar atë. Dhe tani në fund të jetës, akoma nuk e kuptoj.
Mos vetë të kuptuarit na largon nga arti ?
Nga njëra anë jam i lumtur që nuk e kuptoj. Imagjinoni një botë ku neurokimia të na shpjegonte Mozartin… 
Po kjo është e mundur, dhe më tremb. Makineritë janë tashmë interaktive me trurin : kompjuteri dhe qënia njerzore punojnë bashkë. Ndoshta një ditë mund të ndodhë që historianët të kuptojnë se ngjarja më e rëndësishme në shekullin e XX, nuk ishte lufta, as krach-i financiar, por ajo natë ku Kasparov, lojtari i shahut, humbi kundër një kutie të vogël prej metali. Dhe shkruajti «  Makineria nuk ka njehësuar, por ka menduar. » Kur e pashë këtë, kërkova mendimin e kolegëve të mi në Kembrixh që janë mbretërit e shkencës. Më thanë se nuk e dinin nëse mendimi ishte një llogari. Kjo është një përgjigje e tmerrshme ! A do të mundet që një ditë kutia e vogël të na krijojë muzikë ?
Përktheu Ylli Demneri

Monday, July 2, 2012

Nuk ke më se kë të joshësh...

Oktavio Paz

Në botën tonë, dashuria është një eksperiencë thuajse e paarritshme. Çdo gjë është kundër saj: morali, klasat, ligjet, racat e bile edhe vetë të dashuruarit. Gruaja ka qenë për burrin, kurdoherë "tjetri", e kundërta dhe plotësuesi i tij. Nëse njëra pjesë e qenies sonë e dëshiron bashkimin me të, një tjetër pjesë po aq imponuese - e refuzon dhe e përjashton atë. Gruaja është një objekt, ndonjëherë i çmuar, ndonjëherë i dëmshëm, por gjithmonë i ndryshëm. Duke shndërruar atë në një objekt e duke ia nënshtruar deformimeve të diktuara prej interesave të tij, prej vanitetit, vuajtjes e vetë dashurisë së tij, burri e kthen atë në një instrument, në mjet për të siguruar mirëkuptimin dhe kënaqësinë, mënyrën për të realizuar mbijetesën. Gruaja është një idhull, perëndeshë, nënë, shtrigë, apo muzë, siç ka thënë Simone de Beauvoir, po ajo kurrë s'mund të jetë vetja e saj. Kësisoj marrëdhëniet tona erotike janë të prishura që në fillim të herës, janë helmuar që në rrënjë. Mes nesh hyn një fantazëm, e kjo fantazëm është imazhi i saj, imazhi që ne kemi përftuar për të e që ajo ia ka veshur vetes. Kur zgjasim dorën për ta prekur, ne as që mund të bëjmë kështu pa menduar më parë mishin, pasi na ndërhyn gjithmonë ky imazh i epshëm e i përunjur. Dhe e njëjta gjë i ndodh edhe asaj: ajo mund ta perceptojë veten e saj veçse si një objekt, apo si diçka "tjetër". Ajo nuk është asnjëherë zonja e vetvetes. Qenia e saj ndahet mes asaj që ajo është në të vërtetë dhe asaj çka imagjinon se është, dhe ky imazh asaj i është diktuar nga familja, klasa, shkolla, miqtë, feja dhe ai që do. Ajo kurrë nuk e shpreh feminilitetin e saj, pasi kjo gjë manifestohet gjithmonë në format e shpikura prej burrave për të. Dashuria nuk është diçka "natyrale". Ajo është diçka humane, më humania e të gjitha tipareve. Diçka që ne e kemi bërë vetë e që nuk gjendet në natyrë. Diçka që ne e krijojmë - dhe e shkatërrojmë - përditë.

Këto nuk janë të vetmet pengesa që qëndrojnë mes dashurisë dhe nesh. Dashuria është një zgjedhje..... mbase një zgjedhje e lirë e fatit tonë, një zbulim i beftë i pjesës më sekrete e më fatlume të qenies sonë. Por zgjedhja e dashurisë është e pamundur në shoqërinë tonë. Në një nga librat e tij më të mirë - Dashuri e marrë - Breton thotë se ajo që në fillim kufizohet nga dy pengesa: mosaprovimi social dhe ideja kristiane e mëkatit. Për t'u realizuar dashuria duhet të shkelë ligjet e botës sonë. Ajo është skandaloze dhe kundër rregullave, një shkelje e kryer nga dy yje që i shkëputen orbitave të tyre të paradestinuara e që bashkohen në hapësirë. Koncepti romantik i dashurisë, perceptuar si një ikje e si një katastrofë, është i vetmi që njohim sot, pasi gjithçka në shoqërinë tonë e pengon dashurinë të jetë një zgjedhje e lirë.

Gratë janë ngujuar brenda atij imazhi mashkullor që shoqëria u ka imponuar; kësisoj, nëse ato tentojnë një zgjedhje të lirë ajo duhet të jetë një farë arratisje nga burgu. Të dashuruarit thonë se "dashuria e ka transformuar atë, e ka bërë tjetër njeri". Dhe kanë të drejtë. Dashuria e ndryshon krejtësisht një grua. Nëse ajo guxon të dashurojë, nëse guxon të jetë vetvetja, asaj i duhet të shkatërrojë imazhin ku atë e ka ngujuar bota.

Edhe burri është po ashtu i ndaluar të bëjë zgjedhjen e tij. Radha e mundësive të tij është shumë e kufizuar. Si fëmijë ai e zbulon feminilitetin tek e ëma apo te motrat e tij, dhe që nga ky moment e identifikon dashurinë me tabutë. Erotizmi ynë kushtëzohet nga tmerri dhe tërheqja e incestit. Jeta moderne, në të njëjtën kohë i nxit ndjeshëm dëshirat tona, ndërkohë që edhe i ndrydh ato me gjithfarë pengesash: sociale, morale, bile edhe të karakterit higjenik. Faji është njëherësh mamuzoja dhe freri i dëshirës. Zgjedhja jonë kufizohet nga çdo gjë. Ne, dashuritë tona më të qenësishme duhet t'ia përshtasim atij imazhi që grupi ynë shoqëror aprovon për një grua. Është e vështirë të dashurosh persona të racave, kulturave e shtresave të tjera, edhe pse është absolutisht e mundur që një i bardhë të dashurojë një zezake, zezakja të dashurojë një kinez e një "zotëri" shërbëtoren e tij. Dhe anasjelltas. Por të tilla mundësi ne na bëjnë të skuqemi, e për sa kohë jemi të ndaluar të bëjmë zgjedhjen tonë të lirë, zgjedhim njërën ndër ato gra që janë të "përshtatshme". Ne asnjëherë nuk e pranojmë se jemi martuar me një grua që nuk e duam, me një grua që mbase na do, por që është e paaftë të jetë vetvetja. Sëann thotë: "E të mendosh se kam humbur vitet më të mira të jetës sime me një grua që nuk është tipi im." Shumica e burrave të sotëm mund ta përsërisin të njëjtën frazë në shtratin e tyre të vdekjes. Dhe me ndryshimin vetëm të një fjale, të njëjtën gjë mund të thonë shumica e grave sot.

Shoqëria e mohon natyrën e dashurisë duke e konceptuar atë si një bashkim të qëndrueshëm, qëllimi i të cilit është zënia dhe rritja e fëmijëve. Ajo e identifikon atë me martesën. Çdo shkelje e këtij rregulli ndëshkohet, ndërsa ashpërsia e ndëshkimit varet nga koha dhe vendi. (Në Meksikë ndëshkimi shpesh është fatal nëse shkelësi është gruaja, pasi - siç ndodh me të gjithë popujt hispanikë - ne kemi dy kode morale: një për "senjorin" dhe një tjetër për gratë, fëmijët dhe të varfërit.) Mbrojtja që i bëhet martesës do të ishte e justifikueshme nëse shoqëria do të lejonte zgjedhjen e lirë. Për sa kohë një gjë e tillë nuk ndodh, ajo duhet të pranojë faktin se martesa nuk është realizimi suprem i dashurisë, por vetëm një formë legale, sociale dhe ekonomike me qëllime të ndryshme nga ato të dashurisë. Qëndrueshmëria e familjes varet nga martesa, e cila kthehet thjesht në një strukturë mbrojtëse për shoqërinë me qëllimin e vetëm, riprodhimin e po kësaj shoqërie. Kësisoj, martesa për nga natyra është thellësisht konservatore. Ta sulmosh atë është të sulmosh vetë themelet e shoqërisë. Ndërsa dashuria, për të njëjtat arsye, është një akt antisocial, megjithëse jo në mënyrë të qëllimshme. Saherë që arrin të realizohet, ajo prish një martesë dhe e bën atë ashtu siç nuk dëshirohet nga shoqëria: një sipërfaqje të dy qenieve vetmitare që krijojnë botën e tyre, një botë që hedh tutje gënjeshtrat e shoqërisë, ndalon kohën dhe punën, dhe e deklaron veten të vetë-mjaftueshme. Nuk është hiç për t'u habitur, atëherë, që shoqëria e dënon dashurinë dhe dëshminë e saj - poezinë - me të njëjtën keqdashje, duke e dënuar atë t'i përkasë vetëm botës konfuze e klandestine të të ndaluarës, absurdit, anormalitetit. Po ashtu nuk është e çuditshme që si dashuria edhe poezia shpërthejnë në forma të çuditshme, të dëlira: një skandal, një krim, një poemë.

Si rezultat i kësaj mbrojtjeje që i bëhet martesës, dashuria persekutohet dhe prostituimi, ose tolerohet ose i jepet bekimi zyrtar. Qëndrimi ynë mëdyshës në lidhje me prostitucionin është absolutisht domethënës.

Disa e konsiderojnë këtë institucion si të shenjtë, por mes nesh ai është në mënyrë të alternuar sa i përbuzur, aq edhe i dëshirueshëm. Prostituta është një karikaturë e dashurisë, viktimë e dashurisë, simbol i fuqive që zvetënojnë shoqërinë tonë. Por edhe ky parodizim i dashurisë nuk mjafton: në qarqe të caktuara lidhjet e martesës janë zhbërë kaq shumë, saqë lidhjet dyfishe përbëjnë rregullin e përgjithshëm tashmë. Personi që kalon sa në një shtrat në tjetrin nuk quhet më një i shthurur. Burri joshës - ai nuk mund të kapërcejë veten pasi gratë janë gjithmonë instrumente të vanitetit apo ankthit të tij - është një figurë po aq e dalë mode sa edhe ajo e kalorësit mesjetar. Nuk ke më se kë të joshësh, ashtu si nuk ka më vasha për t'u shpëtuar e përbindësha për t'u shkatërruar. Erotizmi modern është i ndryshëm nga ai i Sade-it, për shembull. Sade ishte një karakter tragjik, një njeri krejtësisht i ndërkryer, dhe vepra e tij është një zbulim shpërthyes i gjendjes njerëzore. Nuk ka heronj aq të dëshpëruar sa të tijët. Erotizmi modern, nga ana tjetër, është thuajse gjithmonë retorik, veçse një ushtrim i vetëkënaqur letrar. Nuk është më një zbulesë e njeriut; po thjesht një dokument më shumë që përshkruan një shoqëri që nxit krimin dhe dënon dashurinë. Liria e pasionit? Divorci nuk përbën më një betejë për t'u marë. Nuk është edhe aq një mënyrë për të flakur tutje lidhje të krijuara njëherë e mirë, sesa një mënyrë për t'i lejuar burrat dhe gratë të zgjedhin në liri. Në një shoqëri ideale, baza e vetme për divorc do të ishte zhdukja e dashurisë apo shfaqja e një dashurie të re. Në një shoqëri ku gjithsecili mund të jetë i lirë në zgjedhjet e tij, divorci do të kthehej në një anakronizëm apo në një gjë të rrallë, njësoj si prostitucioni dhe lidhjet dyfishe apo tradhtia bashkëshortore.

Shoqëria pretendon të jetë një tërësi organike që jeton me forcat e veta dhe për veten e saj. Por ndërkohë që e koncepton veten si një njësi të pandashme, së brendshmi ajo ndahet prej një dualizmi që mbase e trashëgon që nga koha kur njeriu pushoi së qeni kafshë, kur ai shpiku veten e tij, vetëdijen e tij, etikën e tij. Shoqëria është një organizëm që vuan domosdoshmërinë e çuditshme për të justifikuar qëllimet dhe orekset e saj. Ndonjëherë qëllimet e saj - nën petkun e normave morale - përkojnë me dëshirat dhe nevojat e atyre që e përbëjnë atë. Por ndonjëherë ato mohojnë aspiratat e grupeve minoritare apo klasave të rëndësishme shoqërore, e shumë shpesh ato, madje, mohojnë instiktet më të thella të njeriut. Kur ndodh kjo e fundit, shoqëria jeton një periudhë krize: ajo ose shpërthen, ose bie në stagnacion. Përbërësit e saj nuk janë qenie njerëzore, por shndërrohen në ca instrumente pa shpirt.

Dualizmi si tipar i vetvetishëm i çdo shoqërie, e që çdo shoqëri përpiqet ta zgjidhë duke u transformuar në një komunitet, sot shprehet në shumë mënyra: e mira dhe e keqja, lejimi dhe tabuja, idealja dhe realja, racionalja dhe irracionalja, bukuria dhe shëmtia, ëndrrat dhe zhgëndrrat, varfëria dhe begatia, borgjezia dhe proletariati, padija dhe dija, imagjinata dhe arsyeja. Përmes një lëvizjeje të parezistueshme të vetë qenies së saj, shoqëria përpiqet ta kapërcejë këtë dualizëm e t'i shndërrojë komponentet e saj armiqësore e vetmitare në një tërësi harmonike. Por shoqëria moderne përpiqet ta bëjë këtë duke shtypur dialektikën e vetmisë, e vetmja që mund ta bëjë të mundur dashurinë. Shoqëritë e industrializuara, pavarësisht diferencave të tyre "ideologjike", politike apo ekonomike, përpiqen të kthejnë diferencat cilësore - domethënë ato njerëzore - në një uniformitet sasior. Metodat e prodhimit masiv aplikohen edhe për moralin, artin dhe emocionet. Kontradiktat dhe përjashtimet janë eliminuar, dhe kjo rezulton në mbylljen e rrugës sonë drejt eksperiencës më të vërtetë e më të thellë që mund të na ofrojë jeta, atë të zbulimit të realitetit si një tërësi ku të kundërta puqen. Fuqitë e reja e ndalojnë vetminë me dekret... kësisoj ndalojnë edhe dashurinë, një formë klandestine e heroike e bashkësisë. Mbrojtja e dashurisë ka qenë gjithmonë një vepër e rrezikshme antisociale. Tani, bile, po nis të bëhet edhe revolucionare. Problemi i dashurisë në botën tonë zbulon se si dialektika e vetmisë në manifestimin e saj më të thellë, është e flustruar nga shoqëria. Jeta jonë sociale parandalon gati çdo mundësi për realizimin e një bashkësie të vërtetë erotike.

Dashuria është një nga shembujt më të qartë të atij instikti të dyfishtë që na bën të rrëmojmë thellë në veten tonë e, në të njëjtën kohë, të ngrihemi nga vetja për t'u realizuar në një tjetër gjë: vdekje dhe rikrijim, vetmi dhe bashkësi. Po nuk është vetëm kjo. Në jetën e gjithsecilit ka periudha që janë njëkohësisht ikje dhe ribashkime, ndarje dhe pajtime. Secila nga këto faza është përpjekje për të kapërcyer vetminë tonë, dhe izolohet nga një kredhje në ambiente të panjohura!
Shkruar nga Oktavio Paz