Powered By Blogger

Tuesday, September 17, 2013

Kur bota bëhet ekran!

Në fakt, virtualiteti po më bëhet i bezdisshëm, edhe pse vazhdoj ta ndjej të nevojshëm.

Në fillim, e bukura ishte të flisje me njerëz që nuk i njeh. T’u tregosh atyre sekretet e tua është ndoshta gjëja më e lehtë dhe më e padëmshme që mund të bësh. Ndihesh mirë kur i nxjerr jashtë, apo jo?

Por ja që edhe e bukura, me kohën, bëhet e mërzitshme. Dhe një ditë i thua stop bisedave me të panjohur, njësoj siç të ka këshilluar mami që e vogël.

Pastaj fillon të flasësh me miqtë e tu… derisa bisedat reduktohen në shprehje si: “Ku je mi dreq se ke humbur fare?” apo “Na ke bo dalje fare mi goce!”. Nuk më vjen fare t’u përgjigjem komenteve të tilla.

Më e forta është kur nuk ke folur prej kohësh me dikë dhe papritur të vjen një mesazh në inbox: “Irma, sa është bileta Tiranë–Frankfurt?” Eh… ndodh.

Edhe pse i di arsyet pse është i bezdisshëm, nuk po arrij të kuptoj pse vazhdon të jetë i nevojshëm për mua.

Në një farë mënyre, i kam njohur të gjithë dhe më kanë njohur. Entuziazmi i anonimatit ka ikur. Ndoshta është thjesht dëshira për të ditur çfarë po ndodh me të tjerët, meqë nuk i takojmë dot çdo ditë.

Kam frikë se, nëse largohem nga virtualiteti, largohem edhe nga bota. Se të gjithë do më harrojnë… dhe ndoshta edhe unë do t’i harroj ata.

Është bërë i domosdoshëm, dhe kjo më nervozon.

Edhe pse nuk jam shumë e vogël, nuk e mbaj mend më kohën kur nuk kisha as email, jo më Facebook. Çfarë bëja në kohën e lirë? Kërceja më shumë, lexoja më shumë, shikoja më shumë TV… dhe ndoshta studioja më shumë.

Sot, edhe pse mund t’i bëj sërish këto gjëra, më duket sikur pa virtualitetin… nuk kam çfarë të bëj.

Sa keq…


No comments:

Post a Comment