Powered By Blogger

Wednesday, March 7, 2012

Sa e ke orën mi zyshe?!!


 

— Për çfarë ore e kam fjalën?

(Prit përgjigjen e zyshës.)

— 10 mijë lekë ora, 3 herë në javë.

Çfarë? Mos prisje ndonjë përgjigje si “ora 12 pa 5”?!

Asnjëherë s’më kanë pëlqyer mësuesit e mi. Përveç atyre që i paguaja. Nuk e di pse, por mes nesh ka pasur gjithmonë një lidhje shumë më të fortë.

E çuditshme, por nuk mbaj mend pothuajse asnjë nga mësuesit e mi. As në tetëvjeçare, as në gjimnaz. Për këta të fakultetit mos flasim fare. Edhe kur na japin orarin me emër e mbiemër, unë prapë nuk e di kush janë.

Shkolla nuk më ka pëlqyer asnjëherë dhe vonë-vonë e kuptova pse.

Vitin e parë më ra të isha në një klasë qejflinjsh. Vajzat linin orët e mësimit, djemtë pinin cigare në fund të klasës. Rastiste që ndonjëra të vinte edhe e dehur nga ndonjë natë e gjatë studentore.

Unë vetë asnjëherë nuk i bëra këto. Nuk isha aq seksi sa të isha pjesë e shthurjeve rinore. Ama ato vajza dhe ata djem ishin shoqëria ime. Në fund të fundit, me kë do rrija tjetër?

Këtu filluan edhe paragjykimet e zyshave.

U futa automatikisht në listën e zezë.

Notat gjithmonë me debat. Shikime shtrembër. Komente pa fund.

Dhe kështu ra edhe dëshira ime për të mësuar.

Më pëlqente më shumë të flija në klasë dhe t’i paguaja mësimet nëpër kurse sesa të dëgjoja laraskat.

Pastaj ishte Profesor Goni.

Ai po që bënte diferencën.

Tap-topi isha në matematikë, por profesori ishte i bindur që duhej të bëhesha e zgjuar patjetër.

— Ja, Irma me siguri e di si bëhet ushtrimi.

— Irma, si të doli ty?

— Irma, në dërrasë!

Sa herë vija bast me shokët e bankës se edhe sot Profesori Goni do ma përmendte emrin, fitoja.

Më kujtohet një ditë kur pa lulet që kisha vizatuar në librin e matematikës…

Pastaj vinin takimet me prindërit.

— Irma duhet të përpiqet më shumë. Në mësime nuk është mirë.

Dhe unë përgatitesha për gjyqin.

Por ai vazhdonte:

— Por është vajzë e mirë. E urtë dhe e sjellshme.

Ndërsa nga të tjerat dëgjoje vetëm:

Bla bla bla… bla bla bla…

A nuk është e çuditshme?

Pas gjithë atyre viteve shkollë, lëndësh, kursesh, provimesh e pedagogësh, unë mbaj mend vetëm një emër.

Profesor Goni.

Gëzuar 7 Marsin, Profesor Goni.

Edhe pse isha tap-topi në matematikë, ju jeni i vetmi profesor që mbaj mend dhe i vetmi për të cilin kam respekt edhe sot.

No comments:

Post a Comment