Nëse nuk je psikolog, mos u shqetëso pse nuk po më kupton!
E vetmja gjë që duhet të dish është kjo: i dua miqtë e mi. Mos u gënjeni nga çfarë kam shkruar më poshtë. Thjesht më kap ndonjëherë një valë filozofie…
A nuk të mërzisin ndonjëherë njerëzit që njeh? Ata që ke përreth, ata që nuk të kuptojnë, ata që janë ndryshe nga ty, ata që janë si ty, madje edhe ata që përpiqen të të kopjojnë ngaqë të vlerësojnë?
Ndonjëherë të bezdisin virtytet e tyre. Po, pikërisht ato virtyte për të cilat ke krijuar simpati. Ke dashur një mik që të kujdeset për ty, dhe më vonë je bezdisur nga kujdesi i tepruar. Ke dashur dikë që ndan të njëjtat ëndrra me ty, dhe më pas ke kërkuar të jesh unike. I ke treguar gjithçka, pastaj ankohesh që s’ke më privatësi. Përpiqesh ta shndërrosh atë që ke afër sipas shijes tënde, dhe më pas e përbuz sepse “nuk ka karakter”, por bën çfarë bën edhe ti…
Të ka ndodhur kjo? E ke vrarë mendjen pse (dhe jo, nuk po flas për lidhje romantike, kjo vlen për të gjitha llojet e marrëdhënieve)?
Mua më duket se e di pse-në. Çdo gjë “first-hand” ka më shumë cilësi sesa një version i përpunuar.
Ti merr dikë që është ndryshe nga ti, dhe e përpunon, si një poçar, duke u munduar t’ia përshtatësh vizionet, ëndrrat, shijet, karakterin me të tuat. Dhe çfarë del? Një mutacion, një krijesë që ngjan me hijen tënde. Pastaj fillon ta largosh, sepse ajo krijesë nuk është më vetja e saj, por as ti. Tingëllon tragjike, apo jo?
Në fakt, nuk është. Sepse kjo situatë nuk zgjat shumë. Krijesat tona nuk janë aq budallaqe sa të duan të mbeten ashtu. Me kohë, e kuptojnë që diçka nuk shkon, dhe pak nga pak kthehen në veten e tyre.
Filloni të evitoni njëri-tjetrin.
Deri sa, ai që njeh, bëhet ai që ke njohur dhe nuk doni më të jeni pranë.
Nuk po ja gjeni fillin muhabetit?
Nuk janë broçkulla. Ata që dëshirojnë me shpirt të kenë miq “si vetja”, më kuptojnë shumë mirë. Por ama, ta dini: problemi është tek ju, jo tek të tjerët.


No comments:
Post a Comment