Powered By Blogger

Thursday, July 14, 2011

Identiteti që mu venit duke u përshtatur…

Ka raste kur bisedat më të thjeshta hapin kutinë e kujtimeve, e bashkë me të, edhe zhgënjimet e vogla që grumbullohen në jetën tonë të përditshme. Nga fëmijëria, tek adoleshenca, deri te puna dhe përpjekjet për të mbijetuar në një shoqëri ku shpesh vlerësohet servilizmi më shumë se ndershmëria. Ky është një monolog i sinqertë, me ironi dhe reflektim, për të gjithë ata që janë ndjerë të humbur në përpjekjen për t’u përshtatur me një realitet të çuditshëm.


– E vogël?? Kush i mban mend ato vite!

– Mundohu ta kujtosh… cilat ishin lojërat e tua të preferuara?

– Shkoja shpesh tek shtëpia private e një shoqeje. Hmmm… prit pak të kujtohem… sa e poshtër ajo! I lepihet shefes përditë: “shpirti”, “zemra”, “ua sa bukur qenke veshur, sa të shkon kjo ngjyrë”… Tani shefja bën ç’të dojë ajo! Sa gjë e shpifur… sa lehtë mashtrohet njeriu!

– Hej, humbe? Kaq e vështirë është të kujtosh diçka nga fëmijëria?

– Çfarë?! Ah po, fëmijëria… Ç’m’u ngjite edhe ti o njeri i dheut! Fëmijëria ime si gjithë të tjerët në vitet ‘90: pa shkop magjik, vetëm me mundësitë që kisha.

– E mirë, mirë… po adoleshenca? Thuaj ndonjë çmenduri!

– Adoleshenca ime? Si plastelinë.

– Çfarë do të thuash me këtë?

– Dy vitet e para të gjimnazit isha e tërbuar! Kisha dy shoqe të ngushta, shumë të “zhvilluara”: Erin dhe Rezartën. Njëra është bërë modele, tjetra thonë që ka një fëmijë dhe është divorcuar. Eh, si janë njerëzit për thashetheme… Po për mua, pse nuk qarkulluan asnjëherë thashetheme?! Ndoshta sepse nuk isha aq e bukur sa ato…

– Dhe tani çfarë do?

– Një rritje rroge.

– Po vitet më pas?

– Po a s’mban mend që shkova në kishë?! “Aleluja” përditë! Hahaha çfarë jete do kisha pasur po të mos shkoja në kishë… Por nëse i kërkoj rritje rroge, shefja me siguri do ia thotë asaj, dhe ajo më ka inat – do i mbushë mendjen të mos ma japë!

– Po sa kohë ke që je në kishë?

– Ende jam.

– Çfarë ke bërë atje?

– Jam përpjekur të jem e mirë.

– Dhe ia dole?

– U përshtata.

– Po tani?

– Tani? Hiç. Kam nevojë për rritje rroge.

– Si mendon ta arrish?

– Lehtë fare.

– Si?

– Do t’i përshtatem shefes. Nuk e di pse, por më duket se ajo “kampionia e lëpirjes” e ka në dorë. Ajo ka influencë tek shefja! S’di çfarë të bëj. U pa puna… do të më duhet t’i përshtatem edhe asaj tani!

M’u venit identiteti duke u përpjekur t’i përshtatem gjithçkaje…

Po iki të ha – të paktën tek ushqimi nuk ndryshoj kurrë!



No comments:

Post a Comment