Powered By Blogger

Saturday, July 16, 2011

Muzeu Enver Hoxha BLU Sheshi Skenderbej ROZE....!!!

Shumë nga miqtë e mi më kanë pyetur se si unë, vajzë TirOne, jam kaq indiferente ndaj shembjes së Muzeut Enver Hoxha.

E tmerrshme apo jo? Dinë kaq shumë për këtë aktapod në mes të Tiranës, si është ndërtuar, pse është ndërtuar, krijojnë peticione e bëjnë namin në rrjete sociale, ndërkohë që injorojnë në maksimum Sheshin Skënderbej. Askush nuk u ngrit të thoshte: “Mos e prishni, kam kujtime aty”, apo “Mos e prekni se është i bukur”. A thua nuk kishin informacion? Apo nuk u interesonte?

Dhe nuk ua vë fajin plotësisht. Shumë pak TirOnsa kanë mbetur këtu. Të tjerët kapin vetëm informacionet “rozë” dhe “blu” dhe e shohin qytetin sipas interesit politik të ditës.

Muzeu Enver Hoxha – një ndërtesë që funksioni i parë i së cilës ishte të glorifikonte diktatorin Enver Hoxha. Ka kushtuar miliona dollarë në një kohë kur Shqipëria jetonte në varfëri. Më pas u kthye në panaire, aktivitete, diskoteka e ku di unë çfarë tjetër. Dhe kaq. Nuk po flasim për ndonjë simbol mijëravjeçar të qytetit.

Por çfarë rëndësie ka? Nëse nuk doni të shembet për hir të historisë, le të mos shembet. Nuk kam asnjë problem me këtë. Problemi im është: pse vetëm Muzeu Enver Hoxha paska histori?

Më duket sikur shumë veta po fshehin instinktin për të bërtitur: “Jam militant rozë, ky është projekt blu, nuk e pranoj!” Por ndoshta as vetë nuk e kuptojnë që po i shtyn më shumë instinkti politik sesa dashuria për historinë.

Disa më thonë: “Jo, vetëm do rikonstruktohet, sheshi nuk do prishet.”

Po si quhet rikonstruktim kur nga ajo që ishte nuk mbetet pothuajse asgjë? A e keni parë projektin? Apo mjafton t’ju thonë se është rikonstruktim dhe e besoni? Vetë projektet tregojnë se silueta e sheshit do ndryshojë rrënjësisht. Sahati, ai simbol i Tiranës, do mbetet i mbytur nga gjigandi që do ngrihet pranë tij.

Hë, shkrumb e hi le të bëhet Muzeu Enver Hoxha, nuk më vret fare. Mua më vret hipokrizia.

Më vret fakti që pranoni një gjë prej bindjeve dhe refuzoni një tjetër po prej bindjeve. Kur nuk u ngrita për Sheshin Skënderbej, nuk kam asnjë të drejtë morale të ngrihem sot për Muzeun Enver Hoxha. Do ishte hipokrizi.

Prandaj, ndac të prishet, ndac të mos prishet. Por të paktën jini të sinqertë me arsyet tuaja.


No comments:

Post a Comment