Powered By Blogger

Wednesday, July 20, 2011

Ky vënd M***

Lideri i «së majtës» takon liderin e «së djathtës» për të diskutuar rreth rregullave të demokracisë. Po të ishte e vërtetë se u interesonte një gjë e tillë, do ta respektonin dhe pikë. Në fakt u takuan për t’i legalizuar në dukje këto rregulla, në një vend ku politika është e paligjshme. A i vendosi ligjet me kokën e saj qeveria e “së djathtës”? Edhe kjo e «së majtës», as që e morri mundimin t’i modifikojë dhe as të zgjidhë konfliktin e interesave. A e çoi në luftë Italinë qeveria “e djathtë”? Dhe ajo e «së majtës» i rriti financimet për ndërmarjen heroike ushtarake në emër të paqes. Nga një qeveri në tjetrën, asgjë nuk ka ndryshuar.

E po mirë ! Jam i lumtuar të jetoj akoma në një vend m***. Por nga buron kjo lumturi e imja, do të pyesni ju? Po prezantohem: unë jam një industrialist m***, prodhoj m***, furnizoj m***, shes m***, me shumicë e me pakicë. Më mjaftoi vetëm të vëzhgoj se sa shumë m*** ka në këtë botë e ta njoh mirë këtë element të pranishëm në çdo nivel të shoqërisë tonë.

Ka njerëz që jetojnë në lagje m***, në banesa m***, nga ku nisen çdo mëngjes për të bërë punë m***, nën varësinë e padronëve të m***t. Për shumë syresh, vetë jeta që bëjnë, është një jetë m*** dhe gjithë ky m*** është në mëshirë të fatit. Kështu, unë vendosa ta mbledh e ta bëj një produkt të mbrojtur. Sot m*** ka një markë dhe unë jam padroni i tij. Ndoshta ju ka rëne në sy se tashmë kemi filluar prej kohësh të zëvendësojmë objekte të shumta, koncepte, realitete me objekte, koncepte e realitete prej m***. Ju kujtohet si ishte shkolla disa vite më parë ? Eh, tashmë është kthyer në shkollë m***. Ju kujtohet si ishin dikur spitalet ? Sot janë spitale m***.

Unë jam një industrialist m***, prodhoj m***, furnizoj m***, shes m*** me pakicë e me shumicë. M***n që prodhohet prej meje mund ta gjesh gjithandej. Pas pak kohësh do të jetë i domosdoshëm ashtu siç është sot nafta dhe ashtu si nafta, unë do të filloj të prodhoj gjithnjë e më pak, duke aplikuar shtrëngesa e kontrolle, në mënyrë që t’i ngre çmimet e tij : 50 dollarë një barilë m***, deri sa ta ngre 60, 70, 80, 100 dollarë barilën e m***t.

Do të kërkohet gjithnjë e më shumë m*** për të prodhuar produkte m***, për të transportuar mbi rrugë m***, me makina, kamionë e aeroplanë m***, që prodhojnë një ajër m***. Financierë dhe politikanë m*** do të drejtojnë banka m*** dhe sigurime m***, me të cilat njerëzit do të humbasin kapitalet e dinjitetin. Tatimpaguesit do të mbyten në borxhin e tyre e do të zhyten në m*** deri në fyt. E një gjë e tillë, do të ndodhë në një heshtje të sofistikuar mediatike. Do të ketë një moment kur dikush do kërkojë ta ndalë këtë marrëzi, por s’do të mundet dot. Nuk do ta bëjnë as intelektualët që përdorin një gjuhë m***, as gazetarët e paguar prej editorëve të m***t për të shkruar në gazeta m***. M*** do të jetë gjithandej e do të jetë i domosdoshëm për të bërë gjithshka. Pikërisht atëhere ne do të mbyllim rubinetin. Do të jetë e vështirë, mbasi m***, ndryshe nga nafta, është i pashtershëm dhe prodhohet nga të gjithë.

Është e qartë se kisha do të jetë në krahun tonë: një turmë priftërinjsh, shtriganësh, nga monoteistët më të mëdhenj deri tek animistët më të vegjël e të gjitha llojet e bestytnive të karakterit etnik e rajonal, të cilët do të jenë me ne. Do tu flasin të varfërve, do t’i bindin që të shtrëngojnë rripat e të bëhen « kaps », të mbajnë brekë të blinduara që pengojnë jashtëqitjen, do t’i bindin që të mos dhjesin si i kanë mësuar e mos lejojnë asgjë t’u dalë jashtë. Do të thonë : «Kush dhjet, do të verbohet» !

Me kalimin e kohës, raca do të përpunohet dhe do të vazhdojnë të dhjesin vetem të pasurit. Ata që do të vazhdojnë të kenë pushtet mbi jashtëqitjen do të bëhen «Arisokracia e Re», një klasë, që do të ketë në trupin e saj një sasi të pashtershme m***. Që do të prodhojë kapital çdo mëngjes pas kafes dhe cigares. Këta do të jenë fisnikët e rinj dhe si në të kaluarën, edhe këta do të dallohen për një një funksionim të përsosur natyral dhe organik. Dikur ishte «gjaku blu», nga ky moment do të jetë… «M***». E meqënëse të varfërit nuk do të kenë mundësi të hynë në pronësi të këtij kapitali të çmueshëm, ata do të lindin pa bythë.

Më kujtohet një batutë e vjetër që thoshte : «Jeta është si shkallëza e kotecit të pulave, e shkurtër, e shkurtër e plot m***». E atëhere po ju lajmëroj edhe unë, se kam formuar një Parti të re. Simboli ynë e flamuri ynë është pikërisht kjo shkallëz pulash. E që ta dini, këto pula harbute fshati do të jenë stafi im elektoral, klasa drejtuese e së ardhmes.


Gëzoni ! E ardhmja juaj është një «M***», të cilin po e ndërtojmë për JU
Ascanio Celestini

Përktheu nga italishtja : Edlira Dedja



No comments:

Post a Comment