Meqë blogun tim e kishin zënë merimangat (sepse asnjëherë nuk më ka tërhequr realisht, ndoshta ngaqë nuk e kam kuptuar kurrë mirë për çfarë shërben), po shkruaj ca mendime të koklavitura për meshkujt. Jo se më rri mendja aty, heee, mos keqkuptohemi. :P
Atij i duket vetja Brad Pitt. Ç’më gajas kur sillet ashtu! Madje unë e stimuloj të ndihet i tillë. Pse mos ta bëj? A nuk të shtohet jeta kur qesh?
Kur flet me mua përdor fjalë “të mëdha”. Unë bëj sikur nuk i kuptoj, që t’i jap përshtypjen se ai është inteligjent dhe unë, si femër e shkretë, duhet të mësoj prej tij. Edhe pse e di shumë mirë që gjysma e atyre fjalëve s’kanë as kuptim. Po prapë, pse mos ta bëj? A nuk të shton jeten e qeshura?
Është e çuditshme sa është shtuar kjo lloj race. Të paktën sot dua të flas për meshkujt.
Janë ata seriozët që sapo takojnë një vajzë për herë të parë “konstatojnë” se ajo është inteligjente dhe menjëherë futen në mision për t’u bërë të pëlqyer. Fillojnë lojërat me fjalë, temat filozofike, teoritë e mëdha për jetën dhe universit. Biseda merr një kthesë aq të çuditshme sa as ai vetë nuk e di çfarë po argumenton.
Pastaj vajza, për të mos u ndjerë në disavantazh, fillon edhe ajo të japë përgjigje filozofituçe. Kështu krijohet një atmosferë ku të dy flasin, askush nuk kupton dhe një Zot e merr vesh ku do përfundojë muhabeti.
Në çdo takim djali flet për arritjet e veta. Për sukseset. Për planet. Për vizionin. Për potencialin. Për të ardhmen e ndritur.
Nëse vajza e komplimenton, ai menjëherë nxjerr kartën e modestisë:
“Jo, nuk i përdor arritjet e mia për lavdi.”
Dhe biseda, si për çudi, kthehet përsëri tek arritjet e tij.
Po vajzat?
Vjen një moment kur lodhen. Duan të largohen nga ky ankth i përditshëm, por kanë frikë të heqin dorë. Kështu fillojnë të tregojnë anët e tyre më pak të bukura. Gabime. Budallallëqe. Histori. Momente jo fort për t’u krenuar.
Me pak fjalë, përpiqen t’i tregojnë djalit se nuk janë statuja perfekte.
Por kot.
Ai vazhdon të flasë për sukseset, objektivat, planet afatgjata, perspektivat “gold” dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me të.
Vuajtje e madhe.
Në çdo takim fjalë të mëdha, terma modernë, referenca kulturore që nuk të intereson më as t’i kërkosh në Google.
Nëse ju rastis një rast i tillë, ja ç’duhet bërë.
Më ndodhi një herë vitin e kaluar.
Isha ulur në tavolinë me disa njerëz dhe aty ishte edhe ai. Ishte hera e parë që e takoja. I thashë që punoja në aeroport dhe, për ndonjë arsye që s’e kam kuptuar kurrë, fytyra iu ndriçua sikur sapo i kisha thënë që drejtoja NASA-n.
Pastaj filloi.
Po flisnim për shkollën, meqë studionte juridik si unë, por jashtë Shqipërisë. Filluan bla-bla-të. Pastaj bla-bla-të e tjera.
Tani, sinqerisht, a ke nerva të dëgjosh një monolog të tillë në mes të Bllokut, në një lokal plot me të rinj, në mes të verës?
Unë jo.
Kështu që, para se të fillonte kapitulli i dytë i autobiografisë së tij, i thashë:
“Djalë i dashur, me shumë qejf do ta lexoj librin tënd biografik kur ta shkruash, por për momentin nuk të dëgjoj shumë mirë se muzika është e lartë.”
Ja, kështu i thashë.
Se aq pa edukatë nuk jam sa t’i thoja që nuk kisha as dëshirën më të vogël ta dëgjoja. :D
P.S. Ky shkrim nuk është për të treguar sa bukur di të shkruaj, sepse nuk di. Është thjesht një mënyrë për të vrarë kohën në orarin e punës.
Në Facebook nuk kam më kë të ngacmoj dhe as më vjen të shkruaj gjëra.
Këtu të paktën e di që s’më lexon njeri.
Shihemi në postimin tjetër.
Dhe jo, nuk do ta lexoj prapë për korrigjime. Kur s’më lexon njeri, pse të lodhem? :)


I flasim lloj e lloj njerëzish gjatë jetës, përse mos të gjejmë vallë njëherë guxim, për ti folur edhe njëherë vetes...?! (S.I)
ReplyDeleteUne kam filluar tani ti flas me shpesh, gjithmone ama per te miren e saj !!
ReplyDelete