Powered By Blogger

Thursday, March 1, 2012

Filozofituçët e gjeneratës time

Meqë blogun tim e kishin zënë merimangat (sepse asnjëherë nuk më ka tërhequr realisht, ndoshta ngaqë nuk e kam kuptuar kurrë mirë për çfarë shërben), po shkruaj ca mendime të koklavitura për meshkujt. Jo se më rri mendja aty, heee, mos keqkuptohemi. :P

Atij i duket vetja Brad Pitt. Ç’më gajas kur sillet ashtu! Madje unë e stimuloj të ndihet i tillë. Pse mos ta bëj? A nuk të shtohet jeta kur qesh?

Kur flet me mua përdor fjalë “të mëdha”. Unë bëj sikur nuk i kuptoj, që t’i jap përshtypjen se ai është inteligjent dhe unë, si femër e shkretë, duhet të mësoj prej tij. Edhe pse e di shumë mirë që gjysma e atyre fjalëve s’kanë as kuptim. Po prapë, pse mos ta bëj? A nuk të shton jeten e qeshura?

Është e çuditshme sa është shtuar kjo lloj race. Të paktën sot dua të flas për meshkujt.

Janë ata seriozët që sapo takojnë një vajzë për herë të parë “konstatojnë” se ajo është inteligjente dhe menjëherë futen në mision për t’u bërë të pëlqyer. Fillojnë lojërat me fjalë, temat filozofike, teoritë e mëdha për jetën dhe universit. Biseda merr një kthesë aq të çuditshme sa as ai vetë nuk e di çfarë po argumenton.

Pastaj vajza, për të mos u ndjerë në disavantazh, fillon edhe ajo të japë përgjigje filozofituçe. Kështu krijohet një atmosferë ku të dy flasin, askush nuk kupton dhe një Zot e merr vesh ku do përfundojë muhabeti.

Në çdo takim djali flet për arritjet e veta. Për sukseset. Për planet. Për vizionin. Për potencialin. Për të ardhmen e ndritur.

Nëse vajza e komplimenton, ai menjëherë nxjerr kartën e modestisë:

“Jo, nuk i përdor arritjet e mia për lavdi.”

Dhe biseda, si për çudi, kthehet përsëri tek arritjet e tij.

Po vajzat?

Vjen një moment kur lodhen. Duan të largohen nga ky ankth i përditshëm, por kanë frikë të heqin dorë. Kështu fillojnë të tregojnë anët e tyre më pak të bukura. Gabime. Budallallëqe. Histori. Momente jo fort për t’u krenuar.

Me pak fjalë, përpiqen t’i tregojnë djalit se nuk janë statuja perfekte.

Por kot.

Ai vazhdon të flasë për sukseset, objektivat, planet afatgjata, perspektivat “gold” dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me të.

Vuajtje e madhe.

Në çdo takim fjalë të mëdha, terma modernë, referenca kulturore që nuk të intereson më as t’i kërkosh në Google.

Nëse ju rastis një rast i tillë, ja ç’duhet bërë.

Më ndodhi një herë vitin e kaluar.

Isha ulur në tavolinë me disa njerëz dhe aty ishte edhe ai. Ishte hera e parë që e takoja. I thashë që punoja në aeroport dhe, për ndonjë arsye që s’e kam kuptuar kurrë, fytyra iu ndriçua sikur sapo i kisha thënë që drejtoja NASA-n.

Pastaj filloi.

Po flisnim për shkollën, meqë studionte juridik si unë, por jashtë Shqipërisë. Filluan bla-bla-të. Pastaj bla-bla-të e tjera.

Tani, sinqerisht, a ke nerva të dëgjosh një monolog të tillë në mes të Bllokut, në një lokal plot me të rinj, në mes të verës?

Unë jo.

Kështu që, para se të fillonte kapitulli i dytë i autobiografisë së tij, i thashë:

“Djalë i dashur, me shumë qejf do ta lexoj librin tënd biografik kur ta shkruash, por për momentin nuk të dëgjoj shumë mirë se muzika është e lartë.”

Ja, kështu i thashë.

Se aq pa edukatë nuk jam sa t’i thoja që nuk kisha as dëshirën më të vogël ta dëgjoja. :D

P.S. Ky shkrim nuk është për të treguar sa bukur di të shkruaj, sepse nuk di. Është thjesht një mënyrë për të vrarë kohën në orarin e punës.

Në Facebook nuk kam më kë të ngacmoj dhe as më vjen të shkruaj gjëra.

Këtu të paktën e di që s’më lexon njeri.

Shihemi në postimin tjetër.

Dhe jo, nuk do ta lexoj prapë për korrigjime. Kur s’më lexon njeri, pse të lodhem? :)


Wednesday, November 9, 2011

Vetedija qytetare!!




Vetedija qytetare gjithmone mbetet mbrapa, duke i dhene me shume prespektive politikes, ekonomis, teknologjis, forca dinamike keto qe ne i kemi mbivleresuar me shume sec duhet! Per shkak te kesaj mungeses se vetedijes qytetare shume prej nesh zakonisht deshtojme per te njohur natyren e thelle te problemeve!

Ne vertet  jemi te kufizuar, por jo vetem nga politikanet e korruptuar, apo nga punedhenesit tane te babezitur qe na shtrydhin ne si force punetore. Ne jemi te kufizuar edhe nga muret e rreme dhe te gabuara qe kemi ndertuar ne zemrat dhe mendjet tona!

Shoqeria shqiptare ka kohe qe po lengon ne apati te madhe sociale, kjo vihet re kudo ne sjelljet qe shfaqin njerezit. Ne duhet te jemi fanatik ne mbrojtjen e te drejtave tona individuale, asnje qeveri apo asnje autoritet nuk mund te na i  mohoje ato! Po si duhet ti mbrojme keto vlera, ne rradhe te pare, duke mbeshtetur njeri tjetrin! 
 
“Po qe se mes individeve te nje kombi vjen puna qe dredhia, genjeshtra dhe mashtrimi te quhen zgjuaresi, do te thote se ate komb e ka zene nje semundje, tashme, e pasherueshme, individet e te cileve nuk e duan njeri-tjetrin, te cilet punojne kunder njeri-tjetrit e, qe, per pasoje, nuk ndjejne besim dhe siguri te njeri-tjetri, jo vetem qe s’jane kombe ne kuptimin e vertete te fjales, por dhe as qe behet fjale te kene te ardhme”

Wednesday, July 20, 2011

Ky vënd M***

Lideri i «së majtës» takon liderin e «së djathtës» për të diskutuar rreth rregullave të demokracisë. Po të ishte e vërtetë se u interesonte një gjë e tillë, do ta respektonin dhe pikë. Në fakt u takuan për t’i legalizuar në dukje këto rregulla, në një vend ku politika është e paligjshme. A i vendosi ligjet me kokën e saj qeveria e “së djathtës”? Edhe kjo e «së majtës», as që e morri mundimin t’i modifikojë dhe as të zgjidhë konfliktin e interesave. A e çoi në luftë Italinë qeveria “e djathtë”? Dhe ajo e «së majtës» i rriti financimet për ndërmarjen heroike ushtarake në emër të paqes. Nga një qeveri në tjetrën, asgjë nuk ka ndryshuar.

E po mirë ! Jam i lumtuar të jetoj akoma në një vend m***. Por nga buron kjo lumturi e imja, do të pyesni ju? Po prezantohem: unë jam një industrialist m***, prodhoj m***, furnizoj m***, shes m***, me shumicë e me pakicë. Më mjaftoi vetëm të vëzhgoj se sa shumë m*** ka në këtë botë e ta njoh mirë këtë element të pranishëm në çdo nivel të shoqërisë tonë.

Ka njerëz që jetojnë në lagje m***, në banesa m***, nga ku nisen çdo mëngjes për të bërë punë m***, nën varësinë e padronëve të m***t. Për shumë syresh, vetë jeta që bëjnë, është një jetë m*** dhe gjithë ky m*** është në mëshirë të fatit. Kështu, unë vendosa ta mbledh e ta bëj një produkt të mbrojtur. Sot m*** ka një markë dhe unë jam padroni i tij. Ndoshta ju ka rëne në sy se tashmë kemi filluar prej kohësh të zëvendësojmë objekte të shumta, koncepte, realitete me objekte, koncepte e realitete prej m***. Ju kujtohet si ishte shkolla disa vite më parë ? Eh, tashmë është kthyer në shkollë m***. Ju kujtohet si ishin dikur spitalet ? Sot janë spitale m***.

Unë jam një industrialist m***, prodhoj m***, furnizoj m***, shes m*** me pakicë e me shumicë. M***n që prodhohet prej meje mund ta gjesh gjithandej. Pas pak kohësh do të jetë i domosdoshëm ashtu siç është sot nafta dhe ashtu si nafta, unë do të filloj të prodhoj gjithnjë e më pak, duke aplikuar shtrëngesa e kontrolle, në mënyrë që t’i ngre çmimet e tij : 50 dollarë një barilë m***, deri sa ta ngre 60, 70, 80, 100 dollarë barilën e m***t.

Do të kërkohet gjithnjë e më shumë m*** për të prodhuar produkte m***, për të transportuar mbi rrugë m***, me makina, kamionë e aeroplanë m***, që prodhojnë një ajër m***. Financierë dhe politikanë m*** do të drejtojnë banka m*** dhe sigurime m***, me të cilat njerëzit do të humbasin kapitalet e dinjitetin. Tatimpaguesit do të mbyten në borxhin e tyre e do të zhyten në m*** deri në fyt. E një gjë e tillë, do të ndodhë në një heshtje të sofistikuar mediatike. Do të ketë një moment kur dikush do kërkojë ta ndalë këtë marrëzi, por s’do të mundet dot. Nuk do ta bëjnë as intelektualët që përdorin një gjuhë m***, as gazetarët e paguar prej editorëve të m***t për të shkruar në gazeta m***. M*** do të jetë gjithandej e do të jetë i domosdoshëm për të bërë gjithshka. Pikërisht atëhere ne do të mbyllim rubinetin. Do të jetë e vështirë, mbasi m***, ndryshe nga nafta, është i pashtershëm dhe prodhohet nga të gjithë.

Është e qartë se kisha do të jetë në krahun tonë: një turmë priftërinjsh, shtriganësh, nga monoteistët më të mëdhenj deri tek animistët më të vegjël e të gjitha llojet e bestytnive të karakterit etnik e rajonal, të cilët do të jenë me ne. Do tu flasin të varfërve, do t’i bindin që të shtrëngojnë rripat e të bëhen « kaps », të mbajnë brekë të blinduara që pengojnë jashtëqitjen, do t’i bindin që të mos dhjesin si i kanë mësuar e mos lejojnë asgjë t’u dalë jashtë. Do të thonë : «Kush dhjet, do të verbohet» !

Me kalimin e kohës, raca do të përpunohet dhe do të vazhdojnë të dhjesin vetem të pasurit. Ata që do të vazhdojnë të kenë pushtet mbi jashtëqitjen do të bëhen «Arisokracia e Re», një klasë, që do të ketë në trupin e saj një sasi të pashtershme m***. Që do të prodhojë kapital çdo mëngjes pas kafes dhe cigares. Këta do të jenë fisnikët e rinj dhe si në të kaluarën, edhe këta do të dallohen për një një funksionim të përsosur natyral dhe organik. Dikur ishte «gjaku blu», nga ky moment do të jetë… «M***». E meqënëse të varfërit nuk do të kenë mundësi të hynë në pronësi të këtij kapitali të çmueshëm, ata do të lindin pa bythë.

Më kujtohet një batutë e vjetër që thoshte : «Jeta është si shkallëza e kotecit të pulave, e shkurtër, e shkurtër e plot m***». E atëhere po ju lajmëroj edhe unë, se kam formuar një Parti të re. Simboli ynë e flamuri ynë është pikërisht kjo shkallëz pulash. E që ta dini, këto pula harbute fshati do të jenë stafi im elektoral, klasa drejtuese e së ardhmes.


Gëzoni ! E ardhmja juaj është një «M***», të cilin po e ndërtojmë për JU
Ascanio Celestini

Përktheu nga italishtja : Edlira Dedja



Saturday, July 16, 2011

Muzeu Enver Hoxha BLU Sheshi Skenderbej ROZE....!!!

Shumë nga miqtë e mi më kanë pyetur se si unë, vajzë TirOne, jam kaq indiferente ndaj shembjes së Muzeut Enver Hoxha.

E tmerrshme apo jo? Dinë kaq shumë për këtë aktapod në mes të Tiranës, si është ndërtuar, pse është ndërtuar, krijojnë peticione e bëjnë namin në rrjete sociale, ndërkohë që injorojnë në maksimum Sheshin Skënderbej. Askush nuk u ngrit të thoshte: “Mos e prishni, kam kujtime aty”, apo “Mos e prekni se është i bukur”. A thua nuk kishin informacion? Apo nuk u interesonte?

Dhe nuk ua vë fajin plotësisht. Shumë pak TirOnsa kanë mbetur këtu. Të tjerët kapin vetëm informacionet “rozë” dhe “blu” dhe e shohin qytetin sipas interesit politik të ditës.

Muzeu Enver Hoxha – një ndërtesë që funksioni i parë i së cilës ishte të glorifikonte diktatorin Enver Hoxha. Ka kushtuar miliona dollarë në një kohë kur Shqipëria jetonte në varfëri. Më pas u kthye në panaire, aktivitete, diskoteka e ku di unë çfarë tjetër. Dhe kaq. Nuk po flasim për ndonjë simbol mijëravjeçar të qytetit.

Por çfarë rëndësie ka? Nëse nuk doni të shembet për hir të historisë, le të mos shembet. Nuk kam asnjë problem me këtë. Problemi im është: pse vetëm Muzeu Enver Hoxha paska histori?

Më duket sikur shumë veta po fshehin instinktin për të bërtitur: “Jam militant rozë, ky është projekt blu, nuk e pranoj!” Por ndoshta as vetë nuk e kuptojnë që po i shtyn më shumë instinkti politik sesa dashuria për historinë.

Disa më thonë: “Jo, vetëm do rikonstruktohet, sheshi nuk do prishet.”

Po si quhet rikonstruktim kur nga ajo që ishte nuk mbetet pothuajse asgjë? A e keni parë projektin? Apo mjafton t’ju thonë se është rikonstruktim dhe e besoni? Vetë projektet tregojnë se silueta e sheshit do ndryshojë rrënjësisht. Sahati, ai simbol i Tiranës, do mbetet i mbytur nga gjigandi që do ngrihet pranë tij.

Hë, shkrumb e hi le të bëhet Muzeu Enver Hoxha, nuk më vret fare. Mua më vret hipokrizia.

Më vret fakti që pranoni një gjë prej bindjeve dhe refuzoni një tjetër po prej bindjeve. Kur nuk u ngrita për Sheshin Skënderbej, nuk kam asnjë të drejtë morale të ngrihem sot për Muzeun Enver Hoxha. Do ishte hipokrizi.

Prandaj, ndac të prishet, ndac të mos prishet. Por të paktën jini të sinqertë me arsyet tuaja.


Thursday, July 14, 2011

Identiteti që mu venit duke u përshtatur…

Ka raste kur bisedat më të thjeshta hapin kutinë e kujtimeve, e bashkë me të, edhe zhgënjimet e vogla që grumbullohen në jetën tonë të përditshme. Nga fëmijëria, tek adoleshenca, deri te puna dhe përpjekjet për të mbijetuar në një shoqëri ku shpesh vlerësohet servilizmi më shumë se ndershmëria. Ky është një monolog i sinqertë, me ironi dhe reflektim, për të gjithë ata që janë ndjerë të humbur në përpjekjen për t’u përshtatur me një realitet të çuditshëm.


– E vogël?? Kush i mban mend ato vite!

– Mundohu ta kujtosh… cilat ishin lojërat e tua të preferuara?

– Shkoja shpesh tek shtëpia private e një shoqeje. Hmmm… prit pak të kujtohem… sa e poshtër ajo! I lepihet shefes përditë: “shpirti”, “zemra”, “ua sa bukur qenke veshur, sa të shkon kjo ngjyrë”… Tani shefja bën ç’të dojë ajo! Sa gjë e shpifur… sa lehtë mashtrohet njeriu!

– Hej, humbe? Kaq e vështirë është të kujtosh diçka nga fëmijëria?

– Çfarë?! Ah po, fëmijëria… Ç’m’u ngjite edhe ti o njeri i dheut! Fëmijëria ime si gjithë të tjerët në vitet ‘90: pa shkop magjik, vetëm me mundësitë që kisha.

– E mirë, mirë… po adoleshenca? Thuaj ndonjë çmenduri!

– Adoleshenca ime? Si plastelinë.

– Çfarë do të thuash me këtë?

– Dy vitet e para të gjimnazit isha e tërbuar! Kisha dy shoqe të ngushta, shumë të “zhvilluara”: Erin dhe Rezartën. Njëra është bërë modele, tjetra thonë që ka një fëmijë dhe është divorcuar. Eh, si janë njerëzit për thashetheme… Po për mua, pse nuk qarkulluan asnjëherë thashetheme?! Ndoshta sepse nuk isha aq e bukur sa ato…

– Dhe tani çfarë do?

– Një rritje rroge.

– Po vitet më pas?

– Po a s’mban mend që shkova në kishë?! “Aleluja” përditë! Hahaha çfarë jete do kisha pasur po të mos shkoja në kishë… Por nëse i kërkoj rritje rroge, shefja me siguri do ia thotë asaj, dhe ajo më ka inat – do i mbushë mendjen të mos ma japë!

– Po sa kohë ke që je në kishë?

– Ende jam.

– Çfarë ke bërë atje?

– Jam përpjekur të jem e mirë.

– Dhe ia dole?

– U përshtata.

– Po tani?

– Tani? Hiç. Kam nevojë për rritje rroge.

– Si mendon ta arrish?

– Lehtë fare.

– Si?

– Do t’i përshtatem shefes. Nuk e di pse, por më duket se ajo “kampionia e lëpirjes” e ka në dorë. Ajo ka influencë tek shefja! S’di çfarë të bëj. U pa puna… do të më duhet t’i përshtatem edhe asaj tani!

M’u venit identiteti duke u përpjekur t’i përshtatem gjithçkaje…

Po iki të ha – të paktën tek ushqimi nuk ndryshoj kurrë!



Monday, July 11, 2011

Atdhetarë me fjalë, po veprat ku??!!!

“Sokol, Lirim, Hajrie cosa state facendo, non fate rumore!! Bambini pazzi! Sokol hai lavato le mani!! Hajrie, adesso andiamo a mangiare, non piangere bella di mamma!” – tek po rrija e qetë për të bërë punën time në Airportin Nënë Tereza, dëgjova këtë nënë që iu fliste fëmijëve të saj.

Kishte goxha hije të rëndë zonja, ishte veshur bukur. Parfumi i saj, edhe pse isha larg, më turbulloi nuhatjen. Më erdhi për të qeshur, a thua të ishte shqiptare?! Të paktën t’i quante fëmijet e saj Claudia, Luigi, Lorenzo, për ta kompletuar veprën e nderimit të gjuhës shqipe.

Ata fëmijë, me siguri, janë të regjistruar në një shkollë apo kopësht ku nuk flitet shqip! Mos kjo zonjë e rëndë ka patur frikë t’iu mësojë gjuhën e tyre fëmijëve, mos ato i përgjigjeshin mësuesit shqip, dhe krijohej konfuzion?!

Nuk kemi cfarë të bëjmë atëherë, për hir të italianit, gjermanit, amerikanit, fëmijët jashtë Shqipërisë nuk duhet të komunikojnë shqip, madje as të dinë ta flasin si një gjuhë të dytë.